Jemi zyrtarisht në stinën e boronicës, frutit të vogël, lëngu i së cilës njihet si mrekullibërës. Boronica është një nga frutat më të shëndetshme që i bën mjaft mirë jo vetëm trupit tonë, por edhe mendjes.

Por pse boronica konsiderohet si një nga frutat më të mirë?

Te boronica mbizotërojnë antioksidantët e fortë që janë shumë të mirë për neutralizimin e radikaleve të lira që lidhen me disa sëmundje që prekin trupin tonë. Konsumi i boronicave rrit edhe nivelin e antioksidantëve në trup, duke ulur dëmtimin e ADN-së dhe na mbron kundër plakjes e sëmundjeve të këqija.

Boronica përmban shumë pak kalori, rreth 84 kalori për një kupë dhe janë shumë të pasura në fibra, vitaminë C dhe K si dhe përbëhen nga 85% ujë.

Gjithashtu, boronicat mbrojnë kolesterolin në gjak, ulin tensionin e gjakut si edhe parandalojnë sëmundjet e zemrës.  Konsumi i tyre ndikon në përmirësimin e kujtesës dhe funksionimin e trurit.

Boronicat kanë efekt anti-diabetik, duke qenë se niveli i sheqerit që ato përmbajnë është më i ulët në krahasim me frutat e tjera, si edhe konsumi i tyre ndihmon në luftën kundër infeksioneve urinare.

Mundohuni të konsumoni boronica edhe pas stërvitjes suaj, pasi ky frut ndihmon në zvogëlimin e dëmtimit që mund të pësojnë muskujt kur stërviteni fort.