Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, është shprehur se të rinjtë shqiptarë po largohen jashtë vendit për studime apo për punë, drejt shteteve ku popullsia po shkon drejt plakjes.

Gjatë fjalës së saj në Kongresin e Arsimit, ministrja Kushi u shpreh se kryesisht këto vende kërkojnë mjekë dhe infermierë. Sipas saj, kjo tendencë nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.

“Përveç krizës globale, ne këtu në Shqipëri po përballemi edhe me një tendencë tjetër, një sfidë tjetër. Një tendencë në fakt me të cilën po përballet i gjithë rajoni ballkanik.

Një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni për studime apo për punësim, drejt vendeve perëndimore siç është Gjermania, por jo vetëm.

Vende të cilat duke qenë drejt plakjes së popullsisë, e duke pasur nevoja në rritje në tregun e punës, kanë hapur dyert për të rinjtë tanë, veçanërisht për mjekët, për infermierët, por edhe për profesione të tjera të kohës”, u shpreh mes të tjerash Kushi.