Vazhdon beteja ligjore mes Brad Pitt dhe Angelina Jolie. Këtë herë aktori ka vendosur të hedhë në gjyq ish-gruan sepse ka shitur fshehurazi aksionet e tij të kompanisë së verës franceze që kanë blerë bashkë në 2008-ën.

Pitt beson se ish-gruaja ia ka shitur gjysmën e tij të kompanisë së verës franceze Miraval një oligarku rus me “qëllime të këqija” dhe “taktika komerciale të studiuara” për “ta dëmtuar” si hakmarrje për luftën në lidhje me besimin e fëmijëve të tyre.

Marrëveshja e arritur nga Jolie është me një kompani të drejtuar nga Yuri Shefler, pronar i kompanisë që prodhon vodkan ruse Stolichnaya.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë nga avokatët e Pitt flitet për një “blerje të pisët”, që “destabilizon dhe njollos reputacionin e markës Miraval duke e lidhur me markën ruse”.

“Angelina Jolie e ka ndjekur dhe më pas e ka realizuar shitjen e supozuar në sekret, duke mbajtur enkas në errësirë Brad Pitt dhe duke shkelur me dashje të drejtat e ish-burrit që parashikohen nga kontrata”, kanë bërë të ditur avokatët e yllit të Hollyëood-it, që më pas kanë shtuar:

“E dinte që Shefler do të kishte kërkuar të kontrollonte aktivitetin që Pitt kishte ndërtuar dhe se do të kishte minuar investimin te Miraval. Dhe pikërisht kjo është ajo që Shefler ka bërë”.

Dhe akoma: “Në shkelje e marrëveshjes mes palëve, Jolie ka kërkuar të detyrojë Pitt të bashkëpunojë me një të panjohur, dhe akoma më keq, një i panjohur me qëllime të këqija”.

Brad Pitt dhe Angelina Jolie e kanë blerë kështjellën franceze në 2008-ën, si shtëpi për ta ndarë me fëmijët e tyre dhe vreshtin për ta shfrytëzuar si kompani të familjes.

Kanë rënë dakord se nuk do t’i kishin shitur kurrë interesat respektive te Miraval pa dijeninë dhe miratimin e tjetrit, por Angelina nuk e ka respektuar paktin…