Numri i viktimave nga pandemia Covid-19 në Brazil, në vetëm një vit ka kaluar numrin e viktimave që ky vend ka regjistruar nga Hiv-Aids (Sida) në 23 vite.

Është kjo statistika që kanë publikuar sot mediat braziliane, që tha se deri më tani, nga koronavirus kanë humbur jetën 284.775 vetë.

Ndërsa nga sëmundja ende e pashërueshme e Hiv-Aids, ose e njohur ndryshe si Sida, nga viti 1996 deri në vitin 2020 kanë humbur jetën 281.156 vetë.

Mesatarisht, nga sëmundja e Sida, në Brazil humbin jetën 11 mijë vetë në vit, ndërkohë që pandemia ka qenë vërtet kërcënuese për vendin amerikano-latin.

Deri më tani, numri i personave të infektuar nga Covid-19 në Brazil është 11.7 milionë njerëz, ndërkohë që shifrat janë ende të larta në këtë vend.