Thomas Brdaric ka dalë në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së radhës në kampionat, ndaj kastriotit. Një ditë e shënuar për të, sepse feston edhe 46-vjetorin, teksa ka marrë urime të shumta dhe të veçanta në Shkodër. Megjithatë, nuk zhbilancohet nga asgjë tjetër, mendon vetëm për fushën e lojës. Ndër të tjera, ai ka nënvizuar:

“Një ditëlindje me surpriza tifozësh, a jam befasuar? Faleminderit të gjithëve për urimet, shpresoj që edhe ju të jeni mirë. Ju duhet të besoni dhe ju falenderojmë për bashkëpunimin që keni me ekipin. Do të ishte bukur ta festoja ditëlindjen me fitore ndaj Kastriotit. E rëndësishme është që jemi të gjithë të shëndetshëm. Në këto kohë, është e rëndësishme që shëndeti të jetë primar, sepse shumë veta kanë humbur jetën nga pandemia. Nëse jemi mirë, çdo gjë tjetër rregullohet.  

Kemi vuajtur në ndeshjet e “lehta”? Ne duhet të mësojmë prej çdo momenti. Kanë ikur 15 javë kampionat dhe do të kemi ulje-ngriitje. Kjo është normale në futboll. Sidoqoftë, duhet të mësojmë prej këtyre situatave dhe t’i kalojmë me sa më pak probleme”.

Herald Marku: Po shënova, nuk do të festoj
Në krah të trajnerit ishte edhe Herald Marku, një nga lojtarët e spikatur kuqeblu në këtë sezon. Ai foli më gjatë se Brdaric për gazetarët dhe nënvizoi: “Kjo është një ndeshje e vështirë kundër një kundërshtari të fortë. Kam qenë pjesë e Kastriotit, kam shumë respekt për klubin dhe drejtuesit, se më kanë mbështetur. Por, nesër futemi për të bërë mirë e marrë fitoren. Po kalojmë një gjendje të mirë në fushë e jashtë saj. Kemi atmosferë të mirë, që mbizotëron, ndaj duhet ta mbajmë këtë ritëm.

Uroj të jetë fati im nesër, të shënoja do të ishte një kënaqësi, edhe pse nuk do të festoj në shenjë respekti karshi Kastriotit. 9 pikët diferencë? Na bëjnë të ndjehemi komod, është diferencë e kënaqshme. Ne i marrim kapitujt me radhë, duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme, të bëjmë atë që dimë më mirë. Rivali? Rivali më i fortë është Vllaznia, se ne po bëjmë më mirë. Duhet të tregojmë vazhdimësi.

Nuk dua të jap një emër, se të gjithë janë të fortë, por besoj te forca jonë, se mund të arrijmë diçka. Ne nuk kemi thënë në fillim të sezonit që jemi për mbijetesë, por për Kupat e Europës. Çdo rezultat pozitiv përtej kësaj e presim me krahë hapur. Nuk kemi trysni, jemi brenda objektivave dhe jemi në rregull. Luajmë në fushën tonë nesër, ndaj një kundërshtari të vështirë, duhet patjetër fitore. Mendoj se jemi i vetmi ekip, që kemi marrë pikët e plota me të ashtuquajturat “të vogla”.