Rishfaqja e poliomielitit në Mbretërinë e Bashkuar është vetëm shenja më e fundit shqetësuese se bota po shkon drejt një “stuhie” virusesh të reja dhe ekzistuese, që qarkullojnë nëpër popullatë.
Ne po jetojmë një “epokë të re pandemike” sipas ekspertëve, të cilët thonë se ‘Sëmundja X’ e ardhshme mund të jetë afër.

“Sëmundja X” është një oërcaktim, i miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tri vite më parë, që përfaqëson një patogjen hipotetik ende të panjohur, që mund të shkaktojë epideminë e ardhshme.

Dy vite e gjysmë nga shpërthimi i parë i Covid-19, shkencëtarët po përgatiten për më shumë fatkeqësi shëndetësore për shkak të një sërë rrethanash që nënkuptojnë se sëmundjet e shkaktuara nga viruset do të bëhen më të zakonshme në mbarë botën.

Këtë javë, një incident kombëtar u konfirmua në Britani, pasi Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar zbuloi poliovirusin në ujërat e zeza në Londër. Hera e fundit e pandemisë së poliovirusit në Britani daton në vitet 1970.

Zyrtarët shëndetësorë këmbëngulin se rreziku aktual për popullatën është i ulët, por ekspertët thonë se nuk ka gjasa të jetë hera e fundit që një sëmundje serioze, e cila mendohet se është çrrënjosur, të kthehet.

Gripi i shpendëve, ethet Lassa, ethet hemorragjike “Krime-Kongo” dhe lija e majmunëve janë zbuluar të gjitha në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit. “Ka një emër për atë që po shohim për momentin në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë, quhet ‘chatter’, – tha për mediat Mark Woolhouse, profesor i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Universitetin e Edinburgut.

– Është një term që përdoret për të përshkruar ngjarjet e vogla, të cilat mund të nënkuptojnë diçka më të madhe në horizont. Sëmundjet infektive funksionojnë në të njëjtën mënyrë”.

Ndryshimet klimatike, ndërprerjet e udhëtimeve për shkak të pandemisë Covid dhe një rritje e njerëzve që migrojnë nga vende të tjera, përveç Evropës, mendohet se janë gjithashtu faktorë kontribues në numrin e sëmundjeve të reja që arrijnë në Britaninë e Madhe.

“Fillimi i shekullit të 21-të ka qenë një mjedis i përsosur për sëmundjet infektive në zhvillim dhe gjithçka po tregon se do të kemi gjithnjë e më shumë”, – tha Prof. Woolhouse.