Britania e Madhe nuk ndal në asnjë moment procesin e vaksinimit të popullsisë, duke mos u stepur edhe nga kaosi që është krijuar në Europë prej vaksinës së AstraZeneca. Jo vetëm kaq, por duke nisur nga sot, në Mbretërinë e Bashkuar do të nisë vaksinimi i popullsisë +50 vjeç, duke ulur ndjeshëm moshën e personave që mund të vaksinohen.

Sipas qeverisë britanike, pothuajse është mbuluar i gjithë vaksinimi i popullsisë deri në moshën 70 vjeç, ndaj po nis faza e radhës e këitj procesi. Vendimi është konfirmuar nga Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock: “Jam i kënaqur dhe i vendosur nga ecuria e këtij procesi. Askush nuk duhet ta humbasë mundsinë për t’u vaksinuar. Me vaksinimin e moshës mbi 50 vjeç kemi mbuluar 99% të grupmoshës më në risk nga infektimi me Covid-19”.

Po sot ka reaguar edhe organizata Botërore e Shëndetësisë në lidhje me vaksinën anti-Covid të prodhuar nga kompania Johnson&Johnson. Vaksina e kësaj kompanie merret me vetëm 1 dozë. “Vaksina Johnson&Johnson ështe e këshillueshme edhe në vendet ku po qarkullojnë variantet e reja të koronavirus, pasi është efikase ndaj tyre”, thanë ekspertët e OBSH-së.