Bruno Fernandes i është kundërpërgjigjur Jurgen Klopp, i cili ka folur në ditët e kaluara në lidhje me penalltitë e shumta që i janë dhënë Manchester United.

“Dëgjoj shumë shpesh njerëz që flasin për penalltitë e shumta që janë dhënë në favor të Manchester United”, ka thënë Bruno Fernandes në prag të sfidës së kampionatit kundër Liverpool.

“Të them të drejtën, mua nuk më intereson. Nuk përqendrohem tek ajo që thonë njerëzit. Ne kemi lojtarë sulmues shumë të shpejtë përpara. Kemi Martial, që në zonën e rreptësisë është shumë i zgjuar dhe i shpejtë, një nga më të mirët, sipas mendimit tim”.

“Më pas është Rashford. Edhe ai mund ta zhvendosë topin me shpejtësi dhe t’ia zhdukë mbrojtësit. Besoj se është normale, duke parë karakteristikat e tyre, mbrojtësit të bëjnë faulle dhe ne të na jepen penallti”.

“Kam luajtur në Portugali dhe shpesh, kur flitej për Sporting, Porto ose Benfica, kërkohej gjithmonë të vuhej nën presion arbitri”.