Banka e Shqipërisë e rriti sot normën e interesit bazë me 0.5 pikë përqindje, duke e çuar në 1.75% nga 1,25 % që ishte aktualisht. Guvernatori Gent Sejko e njoftoi rritjen e normave të interesit menjëherë pas mbledhjes së këshillit të Mbikëqyrjes, duke sqaruar se kjo masë u mor për të frenuar rritjen e çmimeve përtej objektivit të inflacionit prej 3%.

Kjo është rritja e tretë brenda këtij viti, duke kthyer tendencën e politikës monetare lehtësuese që kishte zgjatur për më shumë se një dekadë, duke e ulur normën bazë në minimumet historike prej 0.5% (shiko grafikun në fund). Rritja e parë ishte në mars, dhe e dyta në korrik. Nërsa në korrik norma bazë u zgjerua me 0.25 pikë përqind, në mbledhjen e sotme,  ajo u shtua me 0.5 pikë përqind, duke sinjalizuar shqetësimin e Bankës së Shqipërisë për presionet e larta inflacioniste.

Sejko tha se, informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se presionet inflacioniste janë më të gjera dhe më të forta se vlerësimet tona të mëparshme. Ky gjykim pasqyron rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet botërore, si dhe kërkesën e lartë e të qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të politikës monetare. Ky normalizim është i nevojshëm për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor afatmesëm. Në këtë mënyrë, politika monetare do të ndihmojë ruajtjen e stabilitetit të brendshëm monetar dhe financiar dhe do të krijojë kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare, tha ai..

Çmimet e konsumit shënuan rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. inflacioni shënoi rritje progresive gjatë kësaj periudhe, duke kulmuar në nivelin 7.4% në muajin qershor.

Baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të artikujve ushqimorë, të naftës dhe të transportit. Megjithatë, rritja e çmimeve ishte e pranishme në një kategori të gjerë produktesh, duke ilustruar përcjelljen e goditjeve të ofertës edhe në çmimet e artikujve të tjerë të shportës, analizoi Banka.

Guvernatori shpjegoi se, trendi rritës i inflacionit ka pasqyruar, në masën më të madhe, ndikimin e goditjeve të ofertës së huaj. Megjithatë, përcjellja e tyre në ekonominë shqiptare është favorizuar nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, dhe nga rishikimi për lart i pritjeve për inflacionin. Ecuria e inflacionit në të ardhmen do të varet nga dinamikat dhe ndërveprimi i këtyre faktorëve.

Ai tha se, ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues. Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve në tregjet botërore dhe kanë filluar të pasqyrohen në ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike. Paralelisht me të, kushtet financiare kanë ardhur në shtrëngim teksa bankat qendrore kanë rritur normat bazë të interesit dhe pasiguria e agjentëve ekonomikë dhe financiarë mbetet e lartë. Projeksionet për Eurozonën sugjerojnë se inflacioni do të kulmojë në gjysmën e dytë të vitit aktual, por balanca e rreziqeve qëndron në kahun e sipërm.

Përkundrejt këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri relativisht solide në gjysmën e parë të vitit. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 6% në tremujorin e parë të vitit dhe treguesit indirektë sugjerojnë rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. Kjo ecuri pasqyron bilancet e shëndosha financiare të biznesit dhe familjeve, fleksibilitetin operacional të sektorit privat, si dhe rezistencën e sistemit financiar shqiptar ndaj goditjeve.

Sejko referoi se, rritja ekonomike është diktuar nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve të sektorit privat, si dhe i eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka sjellë rritjen e faturës së importeve, ndërsa politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese.

Zgjerimi i kërkesës agregate është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Kursi stimulues i politikës monetare ka krijuar një ambient financiar me norma të ulëta interesi, likuiditet të bollshëm dhe prime të kontrolluara rreziku. Kërkesa e brendshme për kredi vijon të mbetet e lartë, ndërsa sektori bankar vijon të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi. Për rrjedhojë, rritja e kredisë për sektorin privat regjistroi vlerën 13.8% në muajin qershor, duke ruajtur trendin pozitiv të shfaqur gjatë vitit të shkuar. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.

Paralelisht me këto zhvillime, kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka shfaqur tendenca forcimi gjatë dy muajve të fundit. Ky forcim pasqyron hyrjet e larta valutore në përgjigje të sezonit të mirë turistik dhe ndihmon në zbutjen e një pjese të goditjes së ofertës që vjen nga tregu i huaj, tha Guvernatori.

Zgjerimi i kërkesës ka sjellë një shfrytëzim më të mirë të potencialit prodhues. Në veçanti, tregu i punës vijon të karakterizohet nga rritje e punësimit, rënie e papunësisë dhe rritje e shpejtë e pagave në sektorin privat, ndërsa bizneset raportojnë një përdorim më të lartë të kapaciteteve prodhuese. Këto zhvillime japin sinjale inkurajuese për vijimin e rritjes ekonomike në periudhën në vazhdim.

Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv gjatë horizontit afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të mbështetet nga rritja e kërkesës së brendshme e të huaj dhe të ushqehet nga bilancet e shëndetshme financiare të ekonomisë, rritja e punësimit, e pagave dhe e kredisë.

Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta gjatë vitit 2022 dhe të reduktohet më tej. Në mungesë të goditjeve të reja, stabilizimi i çmimeve jashtë pritet të lehtësojë presionet mbi inflacionin në vend. Në të njëjtën kohë, normalizimi i politikës sonë monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme financiare për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe reduktimin e inflacionit. inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.

Këto projeksione vijojnë të mbeten subjekt i pasigurive të larta. Në veçanti, rreziqet mbi inflacionin qëndrojnë në kahun e sipërm, kurse ato për rritjen ekonomike në kahun e poshtëm, tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i projeksioneve të skenarit bazë do të kërkojë vijimin e ciklit normalizues të politikës monetare edhe në tremujorët në vazhdim. Në këtë skenar, shpejtësia e normalizimit do të jetë graduale, por në çdo rast e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit, shkruan Monitor.