Merkatoja “tërbohet” në të gjithë Europën, edhe nëse është me kosto të ulët, duke pasur parasysh rrethanat. Të gjitha skuadrat kërkojnë përforcime, midis kërkesave nga trajnerët dhe mundësive për t’u shfrytëzuar.

Nga ana tjetër, Interi këtë vit duket se është në gjendje më statike, siç thuhet gjithashtu nga i interesuari drejtpërdrejtë, Antonio Conte, mbi të gjitha, i cili në mënyrë efektive u ka mbyllur derën përforcimeve të mundshme në janar.

Fabio Capello, duke folur për “Corriere dello Sport”, analizoi situatën e zikaltërve dhe mungesën e përforcimeve: “Conte nuk ka asnjë arsye për të kërkuar më shumë përforcime, tani më shumë se kurrë, pa fituar trofe. Kolegët e tij do të ishin të lumtur ta stërvitnin atë skuadër. Besoj se edhe vetë Antonio mendon kështu. Nga ana tjetër, menaxhimi i grupit do të jetë çështja vendimtare për Interin”.

Sipas Capello, zikaltrit mbeten favoritët kryesorë për të fituar titullin, por ish-trajneri, ndër të tjera i Juve, Milanit dhe Romës, gjithashtu sheh katër skuadra të tjera në betejë të plotë për “Scudetto” dhe Champions:

“Unë e quajta ekipin e Conte si favorit dhe e konfirmoj këtë mendim. Por, ky është dhe do të mbetet kampionati i pasigurisë. Skuadrat luajnë shumë, me pak rikuperim. Na duhen skuadra të mëdha në përbërje dhe cilësore. Unë shoh pesë ekipe që garojnë për katër vendet e para. Këto vende vlejnë, përkatësisht, titullin dhe zonën e Champions-it. Skuadrat favorite, sipas meje, janë: Interi, Milani, Juve, Atalanta dhe Roma”.