“Ronaldo te Napoli? De Laurentiis është një nga presidentët që di t’i bëjë mirë llogaritë. Ronaldo sjell 20-25 gola si prikë. Ky është një fakt, por është po aq e vërtetë që do të humbiste një sulmues të ri dhe të fortë si Osimhen.
Pra, është çështje parash, numrash dhe perspektive. Drejtuesit e Napolit dinë t’i bëjnë llogaritë shumë mirë dhe si të lëvizin në treg. Ronaldo nuk është një lojtar grupi, është e vërtetë, por Spalletti do të përpiqej të nxirrte në pah talentin e portugezit”. Kështu deklaroi Fabio Capello në “Rai Radio 1” mbi hipotezën e kalimit të Ronaldos te Napoli.
Më tej, Don Fabio” e shtjellon analizën e vet mbi futbollin italian: “A nuk ka sulmues italianë? Është e vërtetë, nuk ka asnjë. Tani kemi shumë mesfushorë, me cilësi të madhe. Pastaj një anësor të mirë, por nuk kemi sulmues të spikatur dhe ky është një problem për Roberto Mancinin, i cili do të duhet të kërkojë diçka të re në nivelin taktik.
Ndoshta siç bëri Guardiola, edhe nëse personalisht nuk jam i bindur. Nuk ka asgjë për të bërë veçse të presim Scamacca. E ndoqa në ndeshjen e fundit, dukej se po përmirësohej. Ky sezon do t’i bëjë mirë nëse del vazhdimisht në fushë, sepse lojtarët e rinj duhet të luajnë. Në këtë drejtim jam i kënaqur me debutimin e Mirettit”.
Pastaj Capello u fokusua te Milani: “Kuqezinjtë e filluan shumë mirë, kanë krijuan një mjedis pozitiv, një mentalitet fituesi. Për të përsëritur veten, gjëja më e rëndësishme është të kesh të njëjtin lloj loje, të njëjtën vëmendje si kur fitove titullin. Grupi është aty. E patë për shembull zëvendësimin e Leaos kundër Atalantës? Ai doli pak i trishtuar, por e pranoi zgjedhjen.
Nëse e kupton që të gjithë janë të rëndësishëm, kjo është fryma që mund ta çojë Milanin në konfirmim si kampion. De Ketelaere si Rivera? Ai është një lojtar me shpejtësi të madhe. Kur fillon ka një ndryshim ritmi që më kujton Kaka. Si cilësi më kujton Riverën. Nuk e kisha parë kurrë ‘live’ dhe më bëri përshtypje, sepse luan për ekipin dhe sa herë e ka topin krijon rrezik”.
Capello bën prognozën e skuadrave italiane në Champions: “Janë të gjitha ndeshje të vështira, por në veçanti për Interin, i cili duhet të gjejë veten. Më duket se zikaltrit janë pak konfuzë për momentin. Varet shumë nga Inzaghi se si do të punojë. Paredes te Juventusi? Më shumë se çdo gjë tjetër, Allegri duhet të rikuperojë Di Marian, Chiesa dhe Pogba, pastaj do të jetë një ekip tjetër.
Roma? Unë besoj te Mourinho si trajner, ka ide shumë të qarta për lojtarët në dispozicion dhe ku mund të shkojë. Unë shoh një ekip ambicioz, karakteristikat e Mourinhos do të transmetohen te lojtarët. Deklaratat e tij ishin shumë të forta, trajneri e kuptoi se kështu i stimulon të gjithë. Roma do të jetë protagoniste. Mourinho është ‘dhelpër’, ai tashmë e ka kuptuar se çfarë duhet të bëjë, do të jetë në gjendje t’i japë Romës statusin e skuadrës së rëndësishme”.
Ish-trajneri i Romës, Milanit dhe Juventusit foli edhe për kampionatin e Serie A: “Unë shoh një ekuilibër më të madh në kampionat dhe shumë ndeshje të këndshme. Fiorentina p.sh. luajti futboll shumë të mirë bashkë me Napolin, dukej thuajse një tjetër ligë. Këtë vit do të shohim sfida të mëdha, trajnerët e kanë kuptuar që futbolli është agresion dhe vertikalizëm.
Dhe pastaj i përgëzoj gjyqtarët: po fishkëllejnë më pak, po shohim futboll ndërkombëtar, por duhet të riedukojmë njerëzit dhe lojtarët. Më vjen keq që shikoj protesta të panevojshme, është turp i vërtetë ta prishësh shfaqjen”.