Pas Covid-it, në Korenë e Veriut ka alarm për një “epidemi enterike akute”, e cila është përhapur nga qyteti Haeju, në provincën Jugore Hwanghae.

Sipas mediave shtetërore, të paktën 800 familje janë të prekura nga ky virus që prek traktin gastrointestinal dhe që sipas ekspertëve të shëndetësisë mund të jetë kolera ose tifoja.

Përhapja e re, e raportuar për herë të parë të enjten, e tensionon më tej vendin pasi lufton mungesat kronike të ushqimit dhe një valë infeksionesh Covid-19.

Udhëheqësi Kim Jong-un, raporton agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, ka vendosur tashmë masa parandaluese, duke përfshirë karantinë, “testime intensive për të gjithë banorët” dhe trajtim dhe monitorim të veçantë të njerëzve të cenueshëm si fëmijë dhe të moshuar.

Agjencia raportoi gjithashtu 19,310 raste të tjera të reja me ethe, pa detajuar se sa pacientë rezultuan pozitivë me koronavirus.

Në përgjithësi, më shumë se 4.6 milionë njerëz kanë shfaqur simptoma të etheve që kur një shpërthim Covid u njoh për herë të parë në mes të majit. Që nga 19 qershori, KCNA raportoi 73 vdekje nga “ethet”.

Është e vështirë të verifikohen në mënyrë të pavarur lajmet që vijnë nga Koreja e Veriut për shkak të mungesës së lirisë së shtypit në vend.

Megjithatë, udhëheqësi Kim Jong-un dërgoi dje ilaçe të përgatitura nga familja e tij në Komitetin e Partisë së Punëtorëve në qytetin port perëndimor të Haeju për të ndihmuar pacientët që vuajnë nga “epidemia akute enterike”, raportoi KCNA, pa specifikuar numrin e njerëzve të prekur nga virusi gastrointestinal.

“Kim theksoi nevojën për të frenuar sëmundjen sa më shpejt të jetë e mundur duke miratuar masa të mirë-artikuluara për karantinimin e rasteve të dyshuara në mënyrë që të bllokohet plotësisht përhapja e tyre, duke konfirmuar rastet përmes ekzaminimeve epidemiologjike dhe testeve shkencore”, shtoi agjencia zyrtare e lajmeve.