Borscht, një pjatë tipike nga Ukraina, është shpallur të premten si Trashëgimi Botërore nga Unesco.

Supa e famshme e kuqe e bërë nga panxhari, lakra e freskët, lëngu i mishit, viçi dhe mishi i derrit i mbushur me salcë kosi, i zier për të paktën një orë e gjysmë, u nominua në vitin 2019 dhe do të vlerësohej midis 2023 dhe 2024.

Megjithatë, duke pasur parasysh situatën kritike në të cilën e gjen vendi, me luftën që po vazhdon prej më shumë se 4 muajsh pas pushtimit të Rusisë, komiteti i jashtëzakonshëm ka vendosur që vendimin ta çojë këtë vit dhe të procedojë urgjentisht, me mbështetjen edhe të Italisë.

Është hera e parë që komisioni i jashtëzakonshëm merr një vendim të tillë. “Duke pasur parasysh situatën kontigjente të konfliktit, nuk mund të pritej”, tha Unesco.

Miratimi ishte unanim, pa kundërshtime dhe pa ndryshime. Mendimi unanim lidhet me faktin se “praktika dhe tradita e dijes që lidhet me përgatitjen e pjatës rrezikon të humbet për shkak të konfliktit të vazhdueshëm”.

Kënaqësi u shpreh edhe nga Kievi. “Fitorja në luftën e Borscht-it është e jona”, shkroi në rrjetet sociale ministri i Kulturës së Kievit Oleksandr Tkatchenko, i cili shtoi: “Ukraina do ta fitojë luftën e Borscht dhe këtë luftë gjithashtu”.

Moska, nga ana tjetër, e cila gjithmonë ka pretenduar se receta është e saja, e quajti vendimin e UNESCO-s një rast të “nacionalizmit” ukrainas, duke folur për “ukrainizim”.

“Për t’i dhënë botës një shembull kulinar të nacionalizmit aktual të Kievit, do të përmend një fakt: humusi dhe pilafi njihen si pjata kombëtare të vendeve të ndryshme”, shkroi në Telegram zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova. “Por nga sa kuptoj, gjithçka i nënshtrohet ukrainizimit”.