Poshtë, poshtë dhe më poshtë. Lufta, pandemia, kriza klimatike, gishti rrotullohet në ekran dhe mbetet i ngjitur në tabelat e buletineve që tregojnë lajme të këqija. Një rreth vicioz në të cilin ngecet.
Quhet doomscrolling dhe dëmton shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve. Kjo u zbulua nga një studim i publikuar në revistën Health Communication.
Të dhënat tregojnë se 16.5% e 1100 njerëzve të anketuar përjetuan nivele në rritje të stresit, ankthit dhe sëmundjes. Një trend që lidhet me konsumimin e lajmeve dekurajuese apo alarmante.
Profesori i asociuar Bryan McLaughlin, autor i studimit dhe studiues në Universitetin Teknologjik të Teksasit, tha se cikli i pandërprerë i lajmeve shkakton “një gjendje të vazhdueshme alarmi” dhe rrit perceptimin e botës si një vend “i errët dhe i rrezikshëm”.
Jo vetëm kaq, abuzimi me lajmet e këqija duket se gjeneron gjendje obsesive. Njerëzit që praktikojnë doomscrolling kanë nevojë të kontrollojnë vazhdimisht lajmet dhe e bëjnë këtë për të kërkuar lajme për të larguar stresin.
Megjithatë, shpesh nuk i gjejnë dhe kjo përkeqëson gjendjen e tyre të ankthit. “Kjo nuk ndihmon dhe sa më shumë që kontrollojnë lajmet, aq më shumë fillojnë të ndërhyjnë në aspekte të tjera të jetës së tyre”, shpjegon McLaughlin.
28.7% e të anketuarve nuk kanë gjetur efekte negative. 27.3% raportuan nivele “mesatarisht problematike” dhe 27.5% u goditën më shumë, por jo në mënyrë alarmante nga lajmet e këqija.
Pjesa e mbetur prej 16.5%, nga ana tjetër, vuajti ndjeshëm nga efektet e doomscrolling. Nga këto, 74% raportuan se kishin probleme të shëndetit mendor, 61% kishin probleme fizike.
Ata kanë zhvilluar një lloj varësie ndaj lajmeve që i përthithin deri në atë pikë sa kushtëzojnë gjendjen psiko-fizike.
“Problemi duket të jetë më i përhapur nga sa prisnim. Shumë njerëz përjetojnë nivele shumë të larta ankthi dhe stresi nga dieta e tyre mediatike”, thekson McLaughlin.