Te Barcelona janë të shqetësuar për rikuperimin e Ansu Fati. Sulmuesi nuk po tregon përmirësimin që duhet të kishte nga problemet e gjurit të majtë. Talenti katalanas operoi meniskun në nëntor dhe koha e parashikuar e riaftësimit ishte katër muaj. Por afati ka kaluar dhe ai ende nuk ka ndonjë datë të caktuar rikthimi në fushë, pavarësisht se iu është nënshtruar disa trajtimeve.

Në klub pranojnë se sezoni tashmë ka përfunduar për Ansu Fati, i cili nuk do të jetë as në Kampionatin Europian. Shërimi i tij është diçka e panjohur, gjuri po trajtohet me shumë diskrecion. “Mundo Deportivo” shkruajti se futbollisti mund t’i nënshtrohet përsëri operacionit këtë të enjte, lajm që nuk u konfirmua nga klubi. Riaftësimi varet nga duart e mjekëve, por e vërteta tregon se futbollisti është shumë i shqetësuar dhe i prekur nga situata. Lëndimi serioz i gjurit ka ndaluar përparimin e shkëlqyeshëm të tij.

Fati ishte një lojtar fiks për Ronald Koeman, një nga futbollistët më të projektuar në Europë, gjithashtu pjesë e planeve të Luis Enrique. Gjashtë muaj pas dëmtimit të tij, Ansu Fati vazhdon të punojë jashtë ekipit dhe të ushtrohet individualisht. Ai ka marrë trajtime të ndryshme, por pa sukses. Para se të lëndohej, në ndeshjen kundër Betis, sulmuesi i ri kishte luajtur 14 ndeshje dhe kishte shënuar 6 gola. Ai tashmë ka humbur 37 ndeshje.