Pas medaljes olimpike, mbërriti edhe medalja e artë. Nuk ka një pa dy… Kosova ngjitet në majë të Lojërave Olimpike të Japonisë përmes sportit të xhudos. Brenda disa minutash, Distria Krasniqi ka likujduar në tapet dy kundërshtare. Si fillim mongolezen Urantsetseg Munkhat, në gjysmëfinale; pastaj japonezen Funa Tonaki në finale.

Kjo është medalja e dytë e artë olimpike, pas asaj të Majlinda Kelmendit në “Rio 2016”. Arritje e jashtëzakonshme për kosovaren e talentuar, që lumturoi së pari trajnerin pasionant, Driton Kuka, vendin e vet dhe krejt bashkombasit shqiptar, kudo që janë. Tifoze e veçantë e saj ka qenë vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ashtu si krejt stafi olimpik dardan nuk i kanë përmbajtur dot lotët nga emocionet.