Të gjithë e njihni projektin e ri me të cilin moderatorja, Luana Vjollca është rikthyer në ekran, projekt ky që është duartrokitur nga të gjithë. Projekti i saj personal “Thuaje” ka si qëllim të ndërgjegjësojë dhe ngrejë zërin për të gjitha gratë që abuzohen, përndiqen, dhunohen apo ngacmohen seksualisht nga meshkujt.

Luana njoftoi se ditën e sotme do të publikonte këngën e saj të re “A më ra”, këngë kjo që mban një vend tepër të veçantë në zemrën e këngëtares. Ajo na ka njoftuar me anë të një postimi në InstaStory se kënga e saj nuk do të publikohet tani afër pasi e ka të vështirë dhe i duhet më tepër kohë.

“Sa vështirë… nuk po mundem ta publikoj rrëfimin dhe këngën “A më ra”… i përket shpirtit tim. Më falni kam nevojë për më shumë kohë”, ka shkruar Luana. Kujtojmë se në programin e saj, moderatorja ka gjetur rastin të tregojë edhe eksperiencën e saj personale që askush s’e kishte ditur deri më sot, pasi ky rast nuk ishte bërë publik.

Luana u shpreh se për 15 vite e kanë përndjekur 5 persona, madje la të kuptohej se njëri prej tyre ka tentuar të abuzojë seksualisht. Fatmirësisht moderatorja ka arritur të largohet në kohë dhe të shpëtojë.

“Përndjekësit më kanë krijuar një lloj traume që është mos ta kem jetën time të lirë, të dal rrugëve të Tiranës e shoqëruar gjithmonë nga një person që më mbron sepse jam e frikësuar, jam e frikësuar sepse kam pasur 5 raste. 5 raste në 15 vite, njëri prej të cilëve nuk është bërë mediatikisht i njohur sepse askush nuk e ka parë, por mua më ka lënë një shenjë, një plagë sepse ishte përtej asaj që një fans do të bënte.

Fatmirësisht Zotit nuk ka ndodhur asgjë, por ka tentuar që të më… Kam arritur të shpëtoj paq, të vrapoj, të iki nga situata por vetëm kur imagjinoj që ka vajza dhe gra që e përjetojnë këtë është…për mua inspirim se sa të forta janë! Unë kalova në një traumë pa e përjetuar dhe ka njerëz që e përjetojnë, është e tmerrshme.”