Organizatorët e çmimeve “Oscar 2021” kanë vendosur të lejojnë të gjithë personat e nominuar për të fituar statujën të jenë të pranishëm në sallë më 25 prill, ditë kur do të zhvillohet ceremonia e shumëpritur e ndarjes së trofeve. Ky event do të zhvillohet në Los Anxhelos.

Ata që janë të përfshirë në këtë ceremoni, si kandidatët e të ftuarit e tyre, janë të autorizuar të udhëtojnë për në Los Anxhelos për të marrë pjesë në ceremoni, duke zbatuar disa masa anti-Covid”, thuhet në deklaratën e Akademisë. Aty saktësohen edhe detajet e kushtet për pjesëmarrje.

Personat që vijnë nga përtej oqeanit apo nga vende me rrezikshmëri të madhe të infektimit, duhet të mbërrijnë në Los Anxhelos para datës 17 prill. Ndërsa personat që vijnë në Los Anxhelos nga shtete të tjera të Amerikës apo nga vende me rrezikshmëri të ulet të infektimit, brenda datës 20 prill. Paraprakisht, ata duhet të paraqesin edhe planin e udhëtimit.

Të gjithë personat që do të hyjnë në Kaliforni do të qëndrojnë 10 ditë në karantinë dhe nuk do të lejohet të kenë kontakt me persona të tjerë. Gjithashtu, të gjithë kandidatët duhet të paraqesin dy teste negative të kryera javën para nisjes për në Los Anxhelos dhe do t’u nënshtrohen 3 testeve gjatë kohës që do të qëndrojnë aty.