Fitorja e bukur kundër Juventusit ka rivalorizuar ambiciet e Interit, i cili në rast të një fitoreje kundër Udinese dhe një humbje të njëkohshme të Milanit mund t’i ngjisë zikaltrit në krye të renditjes, duke ua vjedhur “kushërinjve” titullin simbolik të kampionit të dimrit.

Antonio Conte paralajmëron lojtarët e tij që të mos e nënvlerësojnë ndeshjen kundër Udinese: “Ne kurrë nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar të Serie A. E pamë të mërkurën kundër Atalantës.  Udinese mund të krijojë vështirësi për këdo. Ata janë një ekip fizik, i strukturuar, me lojtarë cilësorë dhe të fortë në rinisje”.

Trajneri zikaltër pastaj u kthye te fitorja e kaluar kundër Juventusit: “Kur mundni ekipe të forta si Juventusi, patjetër që duhet të luani një ndeshje të shkëlqyeshme dhe të bëni shumë pak gabime. Ne bëmë mirë, shfrytëzuam dobësitë e tyre. Nuk bëmë asnjë gabim dhe fituam. Në këtë supersfidë e kuptuam se jemi në rrugën e duhur.

Ata që luajnë dhe stërvitin Interin, sipas historisë dhe traditës duhet të marrin maksimumin. Ambicia duhet të jetë synimi për maksimumin, për historinë e klubit. Edhe nesër vlen kjo, duhet të jemi në 110%”.

Sa i përket luftës së “Scudetto”, Conte nuk sheh një favorit absolute, por mban shtatë skuadra në lojë: “Për mua, shtatë skuadra mund të luajnë si për titull, ashtu edhe për vendin në Champions. Unë mendoj se faza e parë e konfirmoi këtë. Shtatë skuadra mund të rivalizojnë për titullin”.

Në fund, Conte e përjashton kategorikisht hipotezën e rotacionit në funksion të derbit të “Coppa Italia”: “Arsyetimi duhet të bëhet vetëm për Udinese. Kampionati jep 2 shanse, duke fituar titullin dhe duke siguruar zonën Champions. Kampionati ka përparësi mbi gjithçka. Mbi të gjitha”.