Ndërsa po flasin për aksionet e Interit dhe krizën e futbollit për shkak të koronavirusit, Antonio Conte e rikthen vëmendjen në fushë. Sepse, kjo ka shumë rëndësi dhe tani nevojitet karakter, pas tetë fitoreve radhazi dhe ndalesës së fundit kundër Sampdoria. Kjo ndalesë ktheu në qendër të vëmendjes gabimet dhe mangësitë. Në prag të ndeshjes kundër Romës, trajneri flet për këtë me gazetarët në një konferencë për shtyp.

Çfarë ndeshjeje po pret nesër?
Po flasim për një ekip të fortë, i cili po bën mirë dhe po lufton për një vend në Champions. Madje, Romën e shoh në garën e ekipeve që synojnë titullin.

Tani mbrijnë dy ndeshje të vështira, çfarë përgjigje prisni nga skuadra?
Kur luani ndaj rivalëve të fortë, matni forcën tuaj. Këto janë sfida që masin ambiciet tona.

Çfarë shpjegimi u dha për ndryshimin midis pjesës së parë dhe të dytë të Interit?
Nuk e di nëse ka ndonjë shpjegim. Ndoshta sezonin e kaluar kemi filluar të fortë në pjesën e parë dhe pastaj… Nëse po ndodh e kundërta, nuk e di pse, qasjet ndaj lojës janë gjithmonë të njëjta dhe të drejta. Edhe me Sampdoria vepruam kështu. Ne po dominonim dhe pastaj e pamë veten me dy gola disavantazh.

Kriza për të cilën po flasim dhe çështja Suning, a mund të krijojnë shqetësime për ekipin?
Unë nuk do të hyj në këtë diskutim, është delikat. Nëse duan, është e drejtë që njerëzit e tjerë ta bëjnë atë. Ne mendojmë të punojmë, të jemi të përqendruar në fushë, duke dhënë gjithçka për Interin. Ky është detyrimi i vetëm për ne tani. Nga këtu deri në fund të sezonit.

Çfarë prisni nga tri ndeshjet e ardhshme, çfarë do të dëshironit të shihni tek Interi?
Në fund, rezultati është baza e gjithçkaje. Sepse ndikon në gjykime. Edhe kur bëni një performancë të mirë, nëse një rezultat i keq vjen në fund, gjykimet kushtëzohen. Tani dua të shoh rezultatin.

Sa të rëndësishme mendoni se janë këto dy ndeshje në këtë moment historik?
Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme, pavarësisht nga momenti historik. Kemi dy ndeshje kundër dy ekipeve të forta që do të luftojnë për titull dhe zonën e Champions-it. Kur takoni skuadra të forta, keni një stimul të madh, matni ambicien tuaj me fakte dhe jo me fjalë në përgjithësi.

Vetëm në pesë ndeshje e keni mbajtur portën të paprekur. Si e shpjegoni këtë performancë të ndryshme, krahasuar me sezonin e kaluar?
Si në fazat sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse, është gjithmonë skuadra që merr meritat. Kur bëhet fjalë për fazën sulmuese, ne mendojmë vetëm për sulmuesit, por e gjithë skuadra merr pjesë. Ka disa mundësi që sulmuesit të shënojnë gola. Mbërrijmë me disa lojtarë në zonën e golit. Kështu që, për fazën mbrojtëse, sezonin e kaluar mund të kishte më shumë ekuilibër nga ana e ekipit. Ne po japim diçka më shumë dhe sigurisht që duhet të përmirësohemi.

Si e patë Vidalin, pas konsideratave ndaj Crotone?
Ai stërvitet në mënyrën e duhur. Me vendosmërinë e duhur. Ju e dini që unë ndonjëherë përdor edhe “karrotën”. E kam përdorur shumë herë me Vidal. Por, ndonjëherë përdor edhe shkopin. E bëj gjithmonë, sepse e dua lojtarin, ekipin, situatën, synoj të përmirësohemi. Ai më njeh shumë mirë dhe, nëse nuk më pëlqen diçka, nuk e kthej kokën dhe bëj sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Në cilën pikë është shërimi i Vecinos, si po punon dhe nëse mund të gjejë hapësirë​…
Ai po punon veçmas dhe po integrohet pak nga pak me ekipin. I duhet ende pak kohë. Ju e dini se çfarë kam thënë në të kaluarën. Nuk do të ketë hyrje, nuk do të ketë dalje. Sapo të jetë mirë, ai do të integrohet në lojën e ekipit. Është lojtar i Interit në të gjitha aspektet.