Covid-19 ka mposhtur Bashkim Finon, ish-kryeministër, aktualisht deputet i Partisë Socialiste. Ligjvënësi i majtë është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, duke ndërprerë në mes rrugëtimin e tij politik, ndërsa ishte kandiduar i katërti në listat e qarkut të Fierit për zgjedhjet e 25 prillit. Fino ndodhej i shtruar në një spital privat në kryeqytet, por gjendja e tij ishte rënduar shpejt, teksa mjekët e kanë pasur të pamundur që ta mbajnë në jetë.

Prej vitit 1997 e në vazhdim, ai ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, kur do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z.Fino ka mbajtur po ashtu disa poste ministrore.

Nga viti 1997 deri më 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Nga viti 1999 deri më 2001 ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në vitin 2004, ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Vdekja e tij, në moshën 59-vjeçare, si pasojë e infektimit me Covid-19, ka tronditur të gjithë kolegët e tij, të majtë e të djathtë, me të cilët ndau për vite të tëra diskutimet në Kuvend, apo në kohën kur shërbeu si ministër dhe si kryeministër në qeverinë e Pajtimit Kombëtar.

Janë qindra mesazhet e ngushëllimit në rrjetet sociale për Finon, politikanin karizmatik, që dinte të ruante qetësinë, atëherë kur shumëkush e humbte.

Edi rama, Ilir Meta, Namik Dokle, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, e madje edhe Bujar Nishani e shumë personalitete të tjera kanë ngushëlluar familjen e Finos,të tronditur nga lajmi i vdekjes së tij:

Edi Rama
E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë! Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur.

Ilir Meta
Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!

Namik Dokle
MOS, BASHKIM, MOS, Ç’NA BËRE KESHTU?! Te telefonova, nuk u pergjigje…te dergova mesazh, nuk u pergjigje…dhe shpirti im (mallkuar qofte!) e parandjeu gjëmën! Kurre nuk kishte ndodhur ashtu… Kisha tre dite qe me mendje flisja me ty, me ty, miku im i mire, miku im i perjetshem, mik i paharruar. E kujt i duhen tash keto fjale?! Ti ike dhe na le…ç’na bere keshtu?!

Mimi Kodheli
Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira.

Alfred Peza
Ka nisur fort e trishte kjo dite, kur mesova lajmin e pabesueshem, se nuk e kishim me mes nesh “Kryeministrin e Pajtimit Kombetar!” Do na mungoje buzeqeshja jote 360 gradeshe dhe urtesia prej fisniku te lindur. Familja socialiste eshte ne zi, per humbjen e madhe, te simbolit te diteve me te veshtira per Shqiperine.
Lamtumirë e qofsh i parajses MIKU IM Bashkim.

Petro Koçi
Lamtumire Bashkim Fino! Te mori kjo flame e pabese. Ishe mik i te gjitheve sepse edhe ne politike ishe njerezor! Nuk te harrojme, nuk te harrojne!

Pandeli Majko
Bashkim Fino ka nderruar jetë. Kryeministri socialist i “Pajtimit” të vitit 1997 nuk do jetë midis nesh! Do na mungosh mik! U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes!

Arben Malaj
Kurrë nuk do të besoja se një ditë do te postoja këtë lajm të trishtueshëm për Bashkimin. Një humbje tragjike për familjen e tij, miqtë dhe kolegët! Përherë mirënjohës Bashkim për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm gjatë krizës së tmershme të 97-s. Ngushëllime Dianës dhe fëmijëve. Prehu i qetë miku im. Bashkë kemi kaluar shumë momente të vështira por edhe krenarie. Ju qoftë i lehtë dheu i tokës amë! Beni

Bujar Nishani
Ngushëllimet më të ndjera familjes, të arfërmve dhe miqve të ish Kryeministrit Bashkim Fino ! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar.Pusho në paqe tashmë, Bashkim

Andi Përmeti
Trishtim! Nje koleg i mire me te cilin shpesh debatoja ne Komisionin e Ligjeve, por aq shpesh diskutoja per futbollin, qe aq shume e donte. U prehsh ne paqe! Ngushellime familjes!

Dritan Leli
E dhimbshme ndarja e parakohshme nga jeta e Bashkim Finos, e njeriut popullor e të përkushtuar, e politikanit të ditëve më të vështira të Shqipërisë të vitit ’97. Miku me vlera të larta njerëzore e la sot këtë botë vetëm fizikisht sepse gjithmonë do të kujtohet me nder e respekt!