Qeveria e Japonisë ka vendosur gjendjen e emergjencës për një muaj për kryeqytetin Tokio dhe zonat përreth tij, për shkak të pandemisë Covid-19.

Ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet me koronavirus në Tokio, mbi 1500 persona në ditë, duke arritur kuotën e 70 mijë personave të infektuar (611 viktima).

Kjo shifër e lartë ka detyruar autoritetet të marrin masa shtesë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe vendosur situatën nën kontroll.

Qeveria synon të ulë numrin e të infektuarve në një vit të rëndësishëm për Tokio, që në korrik do të organizojë Lojërat Olimpike, të shtyra për shkak të pandemisë.

Gjendja e emergjencës në Tokio do të zgjasë të paktën një muaj, ku do të qëndrojnë të mbyllura mjaft aktivitete të dorës së dytë.