Në Shqipëri, numri i viktimave nga COVID-19 shënoi një tjetër rekord javën e fundit (2 mars – 8 mars), duke kapur shifrën e 140 vdekjeve. Si rrallë herë, shifra e jetëve të humbura ka qenë konstante thuajse gjatë gjithë ditëve me 20-21 të vdekur, me përjashtim të kësaj të hëne, kur u regjistruan 17 viktima: 7 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Shkodra, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Divjaka, 1 qytetar nga Tepelena, të moshave 53-85 vjeç.

Paralelisht edhe gjendja në spitale ka mbetur thuajse e njëjte. Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 4 spitalet COVID në kryeqytet dhe 3 spitalet e tjera rajonale “po trajtohen 646 pacientë, 40 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar”. Nga ana tjetër, për të tretën javë radhazi, numri i të prekurve ka ardhur në rënie, edhe sepse paralelisht testimet gjithashtu janë ulur.

Në javën e fundit janë rregjistruar 5.649 raste të reja, ose 15 përqind më pak se në javën pararendëse (23 shkurt – 1 mars), ndërsa testimet u ulën me 13.3 përqind, duke zbitur në kuotën e 22.345 tamponëve, niveli më i ulët që prej fundit të muajit janar. Rënia e ndjeshme e rasteve, dëshmon një tendencë, ndonëse jo në të njejtat përmasa, të situatës së pandemisë, duke qenë se dhe pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) ka pësuar po ashtu një përmirësim duke zbritur në 25.2 përqind, nga 25.8 përqind që ishte në javën pararendëse.

Që nga fillimi i pandemisë një vit më parë, janë mbi 113 mijë shqiptarët që zyrtarisht rezultojnë të jenë infketuar nga Koronavirusi, nga të cilët mbi 35 mijë janë ende aktivë, ndërsa 1956 persona kanë humbur jetën.
/ VOA