Cristiano Ronaldo duket se po ndërton një banesë super luksoze në rivierën portugeze, ku do të transferohet me gjithë familjen e tij pasi të vendosë të tërhiqet nga futbolli.

Sulmuesi i Manchester United e ka blerë pronën me vlerë 6.5 milionë sterlina në vitin 2021, duke e bërë apartamentin më të shtrenjtë të shitur në Lisbonë.

Gjithashtu, ylli portugez ka shpenzuar 7 milionë sterlina për një tokë në Quinta da Marinha dhe punimet kanë filluar në rezidencë, sipas medias portugeze Correio da Manha.

“Toka është rrethuar kohët e fundit dhe është blerë nga Ronaldo”, ka thënë një burim për revistën TV 7 Dias. “Këtu do të vijë të jetojë me familjen e tij kur t’i ketë dhënë fund karrierës.  Të gjithë këtu e dinë dhe jemi të lumtur për këtë. Ronaldo është Ronaldo”.

CR7 duket se do të jetojë në rezidencën e tij përrallore në Portugali me të dashurën Georgina Rodriguez dhe fëmijëte tyre, kur të vendosë të varë këpucët në gozhdë.

Kontrata e 37-vjeçari me United skadon në vitin 2023, por ai ka opsionin që të nënshkruajë për një vit tjetër me Djajtë e Kuq nëse do të dojë.

Me Portugalinë të kualifikuar në Kupën e Botës, Ronaldo do të jetë një nga yjet e Katar 2022, kompeticion që do të zhvillohet në fundin e këtij viti.