Viti i ri për Partizanin nisi me një lajm shumë të mirë. CAS zhbllokoi merkaton e të kuqve, duke hedhur poshtë dënimin e FIFA-s. Mundësi e mirë për t’u përforcuar, edhe pse në janar është e vështirë të gjendet lojtarë të lirë cilësorë. Ilir Daja, duke folur në prag të ndeshjes së javës së 13-të të Superiores ndaj Apolonisë, e para për viutin 2021, bëri një analizë të situatës në kampin e tij:

“Si fillim dua të uroj një vit sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët, sidomos për komunitetin e futbollit. Më kujtohet shprehja ‘ishim mirë kur ishim keq’, sepse merkato e janarit nuk të krijon shumë alternativa, edhe pse kemi bërë dy goditje, sapo u zhbllokua merkato. Kanë qenë të piketuara disa pozicione, vazhdojnë të jenë të piketuar të tjerë. Duam të dublojmë rolet, mendoj se ky është problemi më i madh, sepse kampionati ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar.

Presioni? Të drejtosh Partizanin, sigurisht që do të kesh presion, pasi pritshmëritë janë maksimale. Po flasim për një nga klubet më të titulluara në Shqipëri. Nuk është se nuk e kam pasur presionin edhe në ekipe të tjera, që kanë patur problematika më të mëdha se bllokimi i merkatos.

Nuk ka qenë pjesë e justifikimit, nuk jam nga ata trajnerë që justifikohen. Kërkoj të marr maksimumin gjatë gjithë kohës me ata lojtarë që kam në dispozicion. Hapja e merkatos është një lajm i mirë. Do ketë ngjeshje ndeshjesh, terrenet rëndohen, shpresoj të kemi dëmtime sa më të pakta. Do kërkojmë që, të paktën të dublojmë rolet me lojtarë të përshtatshëm për Partizanin.

Deri në këtë moment kemi dy lojtarë të afruar zyrtarisht te Partizani; një mesfushor me tipare sulmuese dhe një sulmues i pastër. Kemi 4 mbrojtës, por do ta gjejmë mundësinë ta përforcojmë edhe këtë repart. Nuk duam të nxitohemi dhe të bëjmë gabime, që do na kushtojnë në të ardhmen, në kosto dhe në cilësi.

Largimet? Të gjithë janë nën kontratë me Partizanin, do të jetë politika e klubit që do të shqyrtojë kërkesat në dalje. Nuk duam vetëm një Partizan sot për sot. Që të kemi një garanci edhe për të ardhmen, natyrshëm që politika e klubit duhet të shohë edhe bilancet.

Nuk mundet vetëm të shpenzojmë pa fund dhe të mos kemi merkato në dalje. Kur bëhet fjalë për emra si Solomon dhe Asani, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Vetëm nëse klubi merr një bonus financiar dhe lojtari, paralelisht, shkon në një kampionat ku mund të zhvillohet individualisht, atëherë do të bëhet e mundur të kemi merkato në dalje.

Vëmendjen kryesore e kemi te përforcimi i repartit të mbrojtjes. U ndje mungesa e Hakajt, ndaj Laçit adoptuam një lojtar mesfushor me tipare sulmuese, siç është Balla. Mungesa e Belicës është edhe më e rëndësishme, sepse po flasim për zv.kapitenin e ekipit.

Belicën e kemi mbuluar me Brojën, i cili është mesfushor. Neve jemi të fokusuar te prurjet në repartin e mbrojtjes, që duhet të jenë të studiuara mirë, në mënyrë që marshi i gabimit të jetë sa më i ulët dhe i vogël të jetë e mundur.

Deri tani janë afruar Stenio Junior dhe Murataj. Për emrat që janë në bisedime me klubin, nuk mund t’i përmend. Çdo gjë bëhet zyrtare kur vendoset firma në kontratë. Janë disa pista, po kontaktohet me lojtarë të ndryshëm.

Apolonia? Kishim një rezultat negativ në Laç, nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha nesër. Afrimet nuk janë bërë akoma pjesë e ekipit, ata duan kohën e vet për t’u përshtatur me manovrën tonë. Kontingjenti është pak më i freskët, kemi rikuperuar energji dhe besoj se ritmi do të jetë ndryshe nga ndeshjet e fundvitit të kaluar.

Çdo staf ka mendësinë e vet. E kemi studiuar Apoloninë, duke parë cilësitë individuale të lojtarëve. Sa i përket manovrës, do të marrim informacion direkt gjatë ndeshjes. Çdo staf i ri që vjen kërkon të instalojë mendësinë e vet taktike. Na ngelet ta lexojmë nesër se çfarë bën kundërshtari në të dyja fazat e lojës.

Nëse e mendojmë lehtë sfidën ndaj Apolonisë, do të gabonim. Është i njëjti ekip, Apolonia, por me staf të ndryshuar. Nuk ka shumë diferenca në kampionatin shqiptar, çdo ndeshje duhet fituar përmes sakrificës dhe motivimit maksimal”.

Standings provided by SofaScore LiveScore