Në fakt, nuk kishte shumë histori ky tur për Partizanin. Që kur u mësua kundërshtari, kualifikimi për në turin e tretë të “Conference League” ishte një mision utopik. Megjithatë, paraqitja e të kuqve la për të dëshiruar, madje ngre alarmin edhe për atë që mund të bëjë në kampionat. Trajneri Ilir Daja e analizoi kështu situatën dhe sfidën e kthimit me helvetët:

Keqardhje që skuadra nuk shënoj sot?
Ishim koshientë që përballë kishim një ekip me shumë eksperiencë, një ekip i konsoliduar, qoftë në individë mjaft të mirë, qoftë në një lojë grupi të automatizuar. Do të thoja që sakrifica e lojtarëve tanë bëri që deri në një farë mase të krijonim shanset tona, sepse koha e shkurtër që kemi patur në dispozicion nuk ka mjaftuar për ta bërë grupin në të dyja fazat e lojës pak më rezultativ.

Ku fakt do të thoja që ishte një nga arsyet që ne humbisnim energji në ndeshje, sidomos në fazën e sulmit, ku e dorëzonim me shpejtësi topin. Sigurisht, kjo edhe për meritë të presingut të kundërshtarit. Në këtë kohë që kemi patur në dispozicion sakrifica e lojtarëve bëri të mundur që të kishim disa raste, pavarësisht se përballë kishim një ekip goxha të fortë.

Keqardhje që golat e pësuar mund të ishin shmangur?
Do të thoja që efekti lodhje sjell edhe atë që mund të shkosh drejt gabimeve, sepse nëse nuk posedon topin, natyrshëm që në disa momente do gabosh. Unë doja që lojtarët më me eksperiencë t’i kishin dhënë më shumë qetësi ekipit. Të paktën te goli i parë ishin dy lojtarët tanë më me eksperiencë, që bënë gabime. Kjo nuk do të thotë që goli ishte vetëm gabim i tyre.

Humbja e topit në gjysëmfushën tonë dhe mosshkallëzimi i linjës së parë të sulmit ishin parathënia, sepse Basel vinte me 6 lojtarë, me presingun lart, që do të thotë se mbrapa krijonte hapësira. Lojtarët tanë të sulmit qëndronin në një linjë, gjë që ia bëri më të lehtë kundërshtarit. Ato hapësira që krijonte Basel duhet t’i kishim marrë me një shkallëzim të linjës së parë.

Natyrshëm që nuk mund t’i bësh të gjitha brenda një muaji, sepse jemi një ekip i riformatuar në këtë kompeticion, nuk trashëgojmë grupin që kishim edicionin e kaluar, ku veprimet ishin më të automatizuara. Të jem i sinqertë do t’i përshëndesja lojtarët që me sakrificën e tyre mbuluan këto boshllëqe të efektit kohë, që kishim në dispozicion.

Ndeshja e fundit e Bardhit?
Sigurisht, Bardhi është një lojtar që i ka dhënë Partizanit dhe meriton respektin si djalë, sepse në një moshë të re ishte pjesë e titullarëve të Partizanit, kishte një eksperiencë prej disa vitesh në Kategorinë Superiore. Kjo e shoqëruar edhe me cilësi të mira individuale. I urojmë shumë suksese në ekipin ku do shkojë, në mënyrë që të përfaqësojë edhe një pjesë të Partizanit, sepse është një lojtar i cili ka dalë nga akademia e klubit tonë.