Nesër do të luhet kryesfida e javës së 26-të të Superiores, Vllaznia-Partizani. Në prag të transfertës shkodrane, trajneri i të kuqve, Ilir Daja, bëri këtë prognozë: “Mendoj se kemi marrë disa energji prej pauzës, që ishin shumë të rëndësishme, pas një periudhe të ngjeshur. Na ka bërë mirë dhe me Vllazninë nesër futemi me ritmin që kemi pasur më parë. Kemi akumuluar energji, por duhet të jemi me energji të njëjtë në ndeshje.

Nesër kemi ndeshje të vështirë, sepse luajmë me Vllazninë, që ka kryesuar me meritë. Përveç marrjes së pikëve, ka bërë edhe një kampionat shumë të mirë. Ne jemi po aty, dy pikë pas shkodranëve. Nesër e kemi të gjithë grupin në dispozicion, sepse është kthyer edhe Ferhan Hasani. Mungon vetëm Domingues, që kthehet pak më vonë në Tiranë për shkak të largësisë mes vendeve. Deri në seancën e fundit, që e kemi pas një ore, do të kujdesemi të mos na dëmtohet njeri, për të qenë të gjithë në ndeshje. Ne do të bëjmë lojën tonë. Është e vështirë, sepse edhe Vllaznia do të bëjë lojën e vet.

Ekipi që do të imponojë lojën e vet nesër do të ketë më shumë shanse të fitojë. Janë dy ekipe me vetëm 2 pikë diferencë dhe të dyja kanë shanse të barabarta, sepse janë rivale. Dam të marrim maksimumin, fitoren. Nuk mbyllet kampionati me fitoren në këtë ndeshje, por të jep shtysë nga ana psikologjike, sepse vlen shumë ndaj Vllaznisë. Edhe me kundërshtarët e tjerë kemi luajtur goxha mirë, na ka munguar shpesh fitorja. Kemi nisur më 4 nëntor dhe është hera e parë që lojtarët kanë pasur 1 javë hapësirë. Ekipet kanë pasur oscilacione dhe nuk i kanë pasur të gjithë lojtarët në dispozicion. Siç ka qenë deri më tani për të gjitha skuadrat, ashtu do të mbyllet kampionati.

Do të jetë garë e luftuar dhe do të ketë sërish luhatje nga ekipet, por sigurisht, tani gabimet nuk na shkojnë, sepse ka shumë pak kohë për të rikuperuar. Janë edhe 11 javë. Kush gabon më pak, kap i pari finishin. Rinovimet i kemi shtyrë vetë. Kemi folur me lojtarët, pavarësisht se çfarë dëgjojmë lart e poshtë. Partizani do të mbajë më shumë se 80% të grupit që ka, sepse do luftojmë që këtë skuadër ta çojmë me tej. Dhe për ta bërë këtë, baza do të jetë ky grup. Ndoshta nuk është momenti për rinovimet, sepse duhet ta bëjmë në një kohë të gjithë bashkë. Në Shqipëri dihet që kur firmos e merr vesh gjysma e shtetit.

Për të shmangur këtë kemi rënë dakord që të dëgjojmë pretendimet e lojtarëve dhe më pas të shkojmë drejt rinovimeve. Ferhan Hasani nuk ka pasur minuta me vendim të stafit mjekësor. Kemi marrë edhe ndihmën e mjekëve të kombëtares, që përcaktuan se Hasani mund të luante në ndeshjen e dytë të Maqedonisë, ku nuk kishte ngarkesë të madhe. Tashmë ai mund të vazhdojë gradualisht, nëse nuk do ketë shqetësim shëndetësor. Deri më tani ai nuk ka ndjerë asnjë shqetësim, kështu që presim që të japë ndihmën e vet, sepse ka shumë vlera si individ. Po e përsëris, mosaktivizimi i Ferhanit në të shkuarën nuk ka qenë problem i stafit teknik, por vendim i stafit mjekësor”.