Dy programet e kërcimit që do të nisin në Shqipëri për punë ditësh, “Dance With Me” në Tv Klan dhe “Dancing With The Stars”, në Top Channel pritet që të jenë në një garë të nxehtë për audiencë.

Në fakt, gara ka nisur që tani në rrjete sociale, teksa po zbulohen nga të dyja emisionet e kërcimit emrat e konkurentëve që do të jenë pjesë e këtij spektakli.

Së fundmi, në faqen zyrtare të Tv Klan është bërë me dije se spektakli i kërcimit në këtë televizon mund të ketë si datë zyrtare të nisjes së tij 19 shtatorin, sipas burimeve që vijnë nga produksioni.

Sakaq, janë zbuluar edhe dy emra të tjerë të konkurentëve që do të jenë pjesë e këtij edicioni të tetë të programit të kërcimit, Cindy Marina, prezantuesja e re e sportit dhe këngëtari i njohur Valon Shehu.

Të dy emrat janë konfirmuar nga faqja zyrtare e spektaklit në Instagram, ndërsa më parë është zbuluar edhe emri i kampiones së Europës, Luiza Gega.

Me siguri, tashmë emrat do të zbulohen çdo ditë dhe do të shikojmë dy programe vërtetë emocionuese.