Superkupa e Italisë do të luhet midis Juventusit dhe Napolit më 20 janar, në Reggio Emilia. Data u bë zyrtare, pavarësisht se Aurelio De Laurentiis përpiqej të kërkonte shtyrjen e saj. Në bazë të kërkesës së presidentit të Napolit, siç shpjegohet nga “Repubblica”, ishte mbi të gjitha dëshira për ta luajtur ndeshjen në kushte “normale”, domethënë me tifozët në stadium, duke garantuar kështu të ardhura më të mëdha për të dyja klubet.

Në kohën e kërkesës për shtyrje, e cila ndodhi sipas “Radio Punto Nuovo” rreth dhjetë ditë më parë, gjatë një takimi në Ligë, De Laurentiis ishte mbështetur gjithashtu në rritjen e rasteve me Covid në zonën e Reggio Emilia, një situatë që mund të shkaktojë shqetësim.

Për më tepër, një arsye tjetër do të kishte qenë kalendari veçanërisht i ngjeshur i të dyja ekipeve. E njëjta gjë që, megjithatë, do ta komplikonte shumë një spostim të dates së Superkupës Italiane. Propozimi i De Laurentiis, megjithëse nuk u pranua, do të kishte qenë shtyrja e ndeshjes deri në fund të majit, kur kampionati të ishte mbyllur. Edhe asokohe, finalet e Kampionatit Europian do ta kishin bërë të pamundur gjetjen e një date të lirë.