Stuhi dëbore dhe erëra të forta kanë pushtuar Europën orët e fundit, duke krijuar probleme të mëdha në qarkullim. Situata duket veçanërisht kritike në Gjermaninë veriore dhe atë perdëndimore, ku moti i keq ka shkaktuar anullime të trenave dhe mjaft aksidente rrugore.

Sipas policisë gjermane bilanci flet për 28 të plagosur nga aksidentet në rrugë, nga të cilët dy janë në gjendje të rëndë. Autoritetet kanë vendosur ndalimin e lëvizjes së trenit nga Hamburgu në Hanover si dhe mes Berlinit dhe vendeve në Perëndimit të Gjermanisë, pasi dëbora ka bllokuar binarët.

Edhe në vendet e ulta, Holandë, Luksemburg e Belgjikë, situata është e rëndë prej motit të keq. Stuhia Darcy që ka goditur këto vende ka bërë që shikueshmëria të jetë e ulët. Në të gjitha këto vende është vendosur kodi i kuq për shkak të motit të keq.

Në Holandë është ndërprerë linja hekurudhore, aeroporti i Amsterdam Schiphol është mbyllur pjesërisht dhe janë anulluar disa fluturime. Në këto vende kishte 10 vjet që nuk ishin regjistruar të tilla reshje të dendura të dëborës. Edhe era ka qenë e fortë, deri në 90km/orë.