Nesër është dita e derbit të madh të kryeqytetit, por që do të luhet jashtë Tirane, çuditërisht. Partizani ka zgjedhur “Elbasan Arena” si klub pritës, për t’i sfiduar bardheblutë kampionë, “armiqtë” historikë. Kjo do të jetë përplasja e dytë e këtij kampionati mes dy palëve, me ambicie maksimaliste. Trajneri Nevil Dede doli sot në konferencë për shtyp, ku bëri prognozën e kësaj supersfide:

“Gjendja e skuadrës është pozitive gjithmonë, kur fiton. Kjo ndeshje ka interes të veçantë, është reklama e futbollit shqiptar. Jemi optimistë. Besoj se do t’i rikuperojmë shpejt edhe të dëmtuarit. Do të bëhemi më solidë me përforcimet e ardhura. Jehona e fitores së thellë? Çdo gjë është histori dhe është e shkruar. Kanë kaluar shumë ndeshje prej asaj dhe nuk di çfarë të them. E presim me optimizëm dhe duam ta shijojmë këtë ndeshje.

Duhet të flas për derbin dhe ndjesia ime është që ta shijoj. Jeta është e tillë dhe duam që gjithmonë të jemi fitues. Nëse kjo ndodh, e ke shijuar jetën tënde. Me këtë frymë shkojmë në derbi. Duam ta fitojmë dhe ta shijojmë. Ata që e shohin mund të konstatojnë gjëra që ju pëlqejnë ose jo. Jam një anëtar i grupit, jam i lumtur që punoj, gëzoj dhe vuaj me ta. Ne jemi bashkë.

Muçi dhe Seferi në sulm? Kemi edhe një seancë stërvitore, pastaj do vendosim. Klubi po punon edhe për përforcime të tjera, pavarësisht problemeve që kemi kaluar. Nuk flas dot me emra. Derbi është ndeshja më e lehtë për t’u përgatitur. Shkoj në stërvitje dhe gjej entuziasëm. Mezi presim të luajmë. Lojtarët e gjejnë motivimin vetë.

Tirana për titull? Sa ka matematikë, përgjigja është e dhënë. Është java e 15-të, jo e 33-ta. Jam pjesë e Tiranës, e këtyre djemve dhe gjithçkaje që përfaqëson ky klub. Të tjerët i kam miq, pavarësisht se fusha na vendos kundër.

Mungesa e rezultateve? Varet si e shikoni. Nëse jam unë nën presion, duhet të jenë edhe nëntë skuadra të tjera. Jemi skuadra me më pak humbje. Të shohim sa fitues do të jemi në vijimësi. Deklarata e Egbo? Çdo njeri ka të drejte të mendojë si do. Do të merrem me të tashmen, jo të shkuarën. Unë nuk jam Zoti të them se kush është e vërteta”.

Standings provided by SofaScore LiveScore