Reperi i njohur shqiptar, Feronit Shabani ose i njohur me emrin e tij të artit Fero është njohur ditën e sotme me vendimin e Gjykatës së Gjilanit, pas arrestimit disa ditë më parë nga policia.

Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Feros nën akuzën e sulmit.

Fero rrahu me grushta një person në qytetin e Gjilanit, teksa e gjithë kjo ngjarje është filmuar dhe është bërë virale në rrjete sociale.

Njoftimi i plotë nga gjykata:

“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit F. Sh.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.07.2022 rreth orës 17:00, në Rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në rrugë dhe vend publik, i pandehuri pas një mosmarrëveshje të rastit me të dëmtuarin E. E. i cili ishte duke dëgjuar muzikë dhe ishte i ulur ne veturën VË Golf 6 ngjyrë e bardhë si pasagjerë të njëjtin e sulmon fizikisht i pandehuri F. Sh., duke e goditur me grushte dhe shkelma disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, deri sa ndërhynë persona të tjerë të pranishëm për ta larguar të pandehurin.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale sulmi, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme në këtë fazë të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit” – shkruhet në njoftim.