4 ndeshje, 4 humbje, pa shënuar asnjë gol. Kjo i ndodhi Shkëndijës së Tetovës kësaj vere, në Kupat e Europës. Për pasojë, trajneri Ernest Gjoka është larguar nga posti që mbante. Klubi tetovar nuk e ka kapërdirë dot këtë paraqitje dhe i ka dhënë duart 51-vjeçarit nga Tirana.

Në fakt, Gjoka ishte vënë në dyshim edhe më herët, por por iu dha mundësia për të ndryshuar për mirë në Kupat e Europës. Në fillim të vitit, një pjesë e spekulimeve ishte se Shkëndija dëshironte ta ndryshonte trajnerin, por Gjoka arriti të fitonte kurorën e kampionit në Maqedoninë e Veriut, duke ruajtur kështu pozicionin që kishte. Mbijetoi deri sot, kur klubi kuqezi e shkarkoi, me njoftimin publik si vijon:

“KF Shkëndija komunikon ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Ernest Gjoka. Kryesia dhe tekniku tiranas me marrëveshje të dyanshme kanë vendosur se ndarja në këtë moment është në interes të të dyja palëve.

KF Shkëndija me këtë rast falemenderon Ernest Gjokën dhe ndihmësin e tij Fatjon Tafaj për kontributin e dhënë në periudhën që ishin pjesë e kuqezinjve, duke drejtuar skuadrën drejt titullit kampion i vendit në sezonin garues 2020-2021.  Familja kuqezi u uron shëndet dhe gjitha të mirat në të ardhmen”.