Ai mbërriti në minutën e fundit te Milani për të zëvendësuar Florenzin. Një blerje jo e paralajmëruar si të tjerat, por me siguri Sergino Dest do të mund të thotë fjalën e tij në kampionatin italian me fanellën e Milanit. Edhe ai vetë ishte paksa i trullosur nga lëvizja “in extremis” në merkato:

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, brenda një dite. Më duhej të merrja një vendim shumë shpejt dhe të ndryshoja jetën, ekipin, vendin dhe kulturën time. E dua Milanin, është një klub për të cilin kam dashur gjithmonë të luaj qysh fëmijë. Jam i lumtur dhe i nderuar që filloj të luaj për këtë klub, do të jap maksimumin”.

Duke folur për ligën italiane, Dest shtoi: “Nuk kam luajtur kurrë në Itali, por kam parë disa ndeshje të Serie A. Është një kampionat i nivelit të lartë dhe do të na duhet të përballemi me disa skuadra të shkëlqyera. Ne e kemi titullin në gjoks dhe duhet ta mbajmë atë edhe për sezonin e ardhshëm”.

Më pas ai prezantoi veten taktikisht: “Tek Ajax kam luajtur si anësor, pastaj edhe si mbrojtës i krahut. Si mbrojtës krahu ishte një ide e mirë, sepse më lejoi të tregoja cilësitë e mia si në fazën e mbrojtjes, ashtu edhe atë të sulmit. Kam rezistencë të mirë, për mua mbrojtësi i krahut është roli më i pëlqyeshëm, si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë. Kjo më ndihmoi të bëhesha lojtar profesionist”.

Ish-lojtari i Barcelonës është i bindur se ka ardhur në një top-klub: “Milani po rikthehet në majë, po bën shumë mirë, ka fituar titullin e fundit. Ndjej se po kthehet në nivelet e kohës kur isha fëmijë dhe shikoja ndeshjet e kësaj skuadre. Për mua është zgjedhja e duhur, koha perfekte për të mbërritur këtu. Do të bëjmë gjithçka për ta rikthyer këtë klub atje ku e meriton”.

Me disa shokë skuadre te Barça ai u përpoq të zbulonte pak nga Milani: “Kam biseduar pak me Kessie, që luante këtu. Ai më tha vetëm gjëra pozitive dhe kjo më ndihmoi. Shumë kampionë luajtën këtu, por Ronaldinho ishte më i miri për mua, një gëzim për t’u parë.

Më pëlqejnë shumë brazilianët që kanë luajtur për Milanin në të kaluarën. Ai grup përfshinte Kaka, Ronaldinho dhe të tjerët. Isha thuajse i fiksuar pas tyre, i shikoja gjithmonë. Unë gjithashtu dua të luaj në Kupën e Botës, por jo vetëm kaq. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua dhe nuk e kam menduar dy herë. E pranova menjëherë dhe dua të luaj me titullin në gjoks”.