Shefi hedh në gjyq ish-vartësen. Dikur ishin “shend e verë”, teksa erdhën në pushtet më 2013, por me kalimin e viteve gjërat ndryshuan rrugës.

Kryeministri Edi Rama e shpalli dikur “bleta e artë”, ndërsa sot i kërkon 1 milionë lekë dëmshpërblim për dëm moral. Pra, Brisida Shehaj, ish-drejtoresha e Tatimeve, aktualisht nënkryetare e LSI, është paditur nga kreu i ekzekutivit shqiptar për “shpifje”.

Padia e firmosur nga kryeministri Rama është depozituar në Gjykatën Civile të kryeqytetit pak ditë më parë. A2CNN ka mësuar se në padi, kreu socialist pretendon të jetë dëmtuar nga deklarimet e Shehajt në 10 mars 2022, në një video-postim në profilin e saj në Instagram, pas vendimit të qeverisë së tij për ngritjen e bordit të transparencës për çmimin e naftës.

Rama i konsideron shpifje faktet që ofron Shehaj, ndaj kërkon të dëmshpërblehet me një milion lekë prej saj, për dëm moral. Padia është regjistruar në gjykatë dhe shorti elektronik ka përcaktuar Teuta Hoxha si gjyqtare.

Vetë ish-drejtoresha e Tatimeve, pasi ka e marrë këtë lajm, ka reaguar: Po më shkruani pafund për lajmin e dalë tani. Nuk kam dijeni për padinë që Edi Rama ka ngritur kundër meje. Pres aktet nga Gjykata, por një gjë e di mirë: Jam në gjendje të faktoj ato çka them. Love”.