Shumë emigrantëve shqiptarë u ka buzëqeshur fati në shtegtimet e tyre larg atdheut. Historia e Rinush Metës është mjaft frymëzuese. Ai u largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare dhe filloi të bënte dy punë, paradite në fabrikë dhe pasdite si kamarier në një restorant. Dhe pas shumë vitesh, ai është pronar i restorantit ku dikur punonte si kamarier.

I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘ABC-ja e Mëngjesit’, Rinushi ka rrëfyer historinë e tij të bukur, që duhet marrë shembull nga të gjithë. ”Në vitin ’97 kur ne jemi larguar Shqipëria ishte në një moment trazire dhe si çdo shqiptar që kërkon një jetë më të mirë dhe ne zgjodhëm jetën e emigrimit. Një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm, por mund të them që ja kemi dal dhe nuk mund të qahemi nga jeta.

Im atë kishte ikur më herët dhe na bëri bashkim familjar me dokumenta. Unë fillimisht punoja në një fabrikë dhe njëkohësisht për t’i ardhur në ndihmë familjes sime gjatë darkave fillova dhe punoja kamarier në moshën 16-vjeç. Gjatë këtyre viteve fitova eksperiencën jo vetëm si kamarier, por për të menaxhuar ambiente të kësaj natyre. Tani kam 23 vjet që merrem me këtë punë.

Në restorant punoja në darkë, ndërsa në fabrikë punoja paradite, programoja makineri që përpunojnë metalin. Në mars të 2019 më është ofruar vendi nga ish pronarët e mi dhe duke parë eksperiencën time, ecurinë time. Ata më ofruan dorën dhe më thanë se kush më mirë se ti do ta çoj përpara këtë vend”, rrëfeu ai në emisionin ‘Abc-ja e Mëngjesit’.