Fjalimi i parë i Mauricio Pochettino për lojtarët e PSG, në qendrën sportive, zgjati 30 minuta. Vetëm Rafinha mungonte, pozitiv për Covid-19 dhe në karantinë, pasi u kthye nga pushimet në Brazil. Neymar dhe Mbappé arritën një çerek orë më herët. Ata parkuan makinat e tyre dhe hynë në dhomën e zhveshjes. I fundit që kaloi portën ishte portieri Keylor Navas.

Presidenti Al-Khelaifi prezantoi Pochettino në ekip, duke kujtuar punën e shkëlqyer të menaxherit te Tottenham, si dhe para kësaj te Southampton dhe Espanyol. Argjentinasi kërkoi sakrificë dhe bashkëpunim, respekt për rolet dhe rregullat e brendshme. Qëllimi është fitimi i Ligës së Kampionëve këtë sezon. Ka një muaj e gjysmë për të arritur harmoninë e duhur në funksion të ndeshjes kundër Barcelonës, në 1/8 finale. Në një klub si PSG, nuk mund të ketë planifikim afatgjatë. Ai shmangu referencat ndaj Tuchel, por studimi i të dhënave në lidhje me tre muajt e fundit të testeve atletike e shqetësoi, sipas asaj që shkroi “Le Parisien”.

Pochettino e përfundoi fjalimin e parë me lojtarët duke përdorur këto fjalë: “Tani mjaft me të qeshura, le të shkojmë në punë”. Sipas gazetës pariziene, ai beson se PSG, me artistët e saj, me skuadrën e frikshme prej një miliard eurosh, ka një potencial ende të pashprehur. Argjentinasi dëshiron ta ndihmojë atë të vrapojë më shumë. Ideja e tij është ajo e një 4-2-3-1 të arsyetuar, më pak instiktiv, i aftë për të kombinuar ritmin dhe cilësinë.

Ashtu si Carlo Ancelotti, i cili vendosi të punësojë djalin e tij, Davide, si ndihmëstrajner i Everton, edhe Mauricio Pochettino ka shtuar një nga dy djemtë e tij në staf. Fjala është për Sebastian, 25 vjeç, i cili është trajneri i ri atletik i PSG-së. Kjo është përvoja e dytë profesionale, pas asaj që përjetoi te Tottenham. Ai ka studiuar në Shkollën St.Paul në Barcelonë, u diplomua në Shkencat Sportive në Universitetin e Southampton dhe mori një diplomë master në Universitetin e Paris-Saclay. E di frëngjishten shumë mirë. Para se t’i afrohej futbollit, ai kishte bashkëpunuar me notin, atletikën dhe basketbollin.