Emisioni “Big Brother” do të transmetohet këtë vit për herë të parë në Kosovë. Teksa prej muajsh përflitet data e fillimit të këtij spektakli, akoma nuk ka diçka zyrtare. Disa kohë më parë u konfirmua se ajo që e mbante peng këtë reality-show të fillonte ishte shtëpia, punimet e së cilës akoma nuk kishin përfunduar.

E ftuar së fundmi në një intervistë, moderatorja Jonida Vokshi u shpreh se shtëpia e “Big Brother Vip Kosova” është drejt fundit, ka mbetur vetëm të vendoset data e nisjes së transmetimit. Gjatë kësaj periudhe kuriozitet të madh ka pasur edhe për konkurrentët pjesëmarrës. Gjatë kësaj interviste, aktorja u pyet mbi emra konkretë, ndonëse hezitoi të zbulonte më tepër.

“Emra nuk zbulojmë dot, por harta është shumë e larmishme për faktin se ka shqiptar nga Shqipëria, shqiptar nga Kosova, shqiptar nga diaspora. Është shumë e gjerë, është jashtëzakonisht e larmishme nga kudo ka shqiptar dhe janë personazhe që kanë shumë për të dhënë aty brenda”, shtoi Jonida.

Elvana Gjata është një nga emrat që është lakuar më së tepërmi për të qenë pjesë e “Big Brother VIP Kosove”. E dini tashmë se këngëtarja është shoqja e ngushtë e Vokshit. Nuk kishte si të mungonte pyetja e drejpërdrejtë për moderatoren mbi praninë e Elvanës. Jonida e theksoi se mikja e saj nuk do të jetë pjesë e spektaklit në Kosovë. “Jo nuk do të jetë Elvana, këtë të paktën e konfirmojmë. Bukur do ishte por jo”, u shpreh Jonida Vokshi.