Gjyshja e Dojnës është një nga gjyshet më të famshme në Shqipëri, së bashku me ijen (gjyshen) e komedianit Bes Kallaku. Ajo është bërë e njohur falë mbesës së saj, Dojna Mema, moderatorja e dashur nga publiku shqiptar, e cila shpesh herë publikon në rrjete sociale video të saj.

Por kushdo që ka një profil në Instagram, nuk mund të mos e ketë parë njëherë gjyshen e Dojnës në këtë kanal social, e cila ka një profil të sajin zyrtar. Ajo ndiqet nga mbi 73 mijë ndjekës, të cilët me sa duket pëlqejnë videot që ajo shpërndan.

Ka qenë vetë moderatorja e njohur që ka vendosur prej kohës ta bëjë gjyshen e saj pjesë të këtij rrjeti social, teksa disa kohë më parë shpjegoi edhe arsyen se pse. “Kisha koleksionuar disa video në celular që i shihja për qefin tim. Duke bërë një bisedë konstruktive (në kafe) me dikë, i thashë: ‘Si ka mundësi që ‘Sting’ ka kaq pak followers në krahasim me disa personazhe shqiptarë?’ Më tha: ‘Se sot, edhe gjyshja jote mund të hapë Instagram dhe të ketë shumë ndjekës.’ Kështu pra!”- është shprehur dikur Dojna Mema.

Por shumë njerëz dhe kryesisht ndjekës të saj janë kuriozë për emrin e saj. Ajo njihet nga të gjithë si gjyshja e Dojnës, por ky është veç “emri i artit”.

Ka qenë vetë moderatorja e njohur që ka zbuluar së fundmi në një emision se si e ka emrin gjyshja e saj. Një emër mjaft i veçantë, duke llogaritur edhe moshën e saj. “Inaet, po ne ja bëjmë pak më të lezetshëm. I flasim Ina” – ka thënë Dojna Mema, për gjyshen që tashmë ka një emër për të gjithë ata që ishin kuriozë e kishin dëshirë ta dinin.

Dojna Mema pret të bëhet nënë e një djali për herë të parë me të dashurin e saj, këngëtarin e njohur Vlashent Sata. Ajo është një nga vajzat më të ëmbla dhe më të dashura nga publiku shqiptar.