Fitorja 2-0 kundër Spezia i ofroi disa siguri të rëndësishme Juventusit, nga Miretti te Milik, por për Allegrin ka edhe një lajm të keq: Wojciech Szczesny në fakt doli me barelë dhe me duar në fytyrë pas një dëmtimi të rëndë të pësuar në minutën e 40-të të pjesës së parë.

Portieri polak mbeti përtokë pas një daljeje të lartë nga këndi, duke u rrëzuar keq. Britma e tij e dhimbjes ngjalli menjëherë shqetësim të madh. Ka qenë Juventusi që ka bërë një bilanc të kushteve të portierit polak. Këtë e bëri përmes një shënimi zyrtar:

“Pas traumës në kyçin e këmbës së djathtë, Szczesny iu nënshtrua ekzaminimeve radiologjike, të cilat përjashtuan frakturat dhe dëmtimet e rëndësishme të kapsulës së ligamentit. Disponueshmëria e tij do të vlerësohet sipas evolucionit të simptomave”.

Një psherëtimë lehtësimi si për Juventusin, ashtu edhe për vetë Szczesny. Frika e momenteve të para është mënjanuar dhe për këtë arsye lëndimi është më pak i rëndë se ç’dukej fillimisht. Juventusi nuk bëri të ditur kohën e rikuperimit, duke specifikuar se disponueshmëria e portierit polak do të varet nga “evolucioni i simptomave”.

Prandaj është e vështirë të përcaktohet se kur do të kthehet në të vërtetë dhe për këtë arsye kohët e rikuperimit duhet të konsiderohen si ‘për t’u vlerësuar’. E sigurt, është shmangur një mungesë e gjatë, pasi nga analizat nuk janë konstatuar thyerje apo lëndime të ligamenteve.

Szczesny nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e radhës me Fiorentinën dhe nuk pritet të kthehet as për angazhimet e mëpasshme ndaj PSG (Champions League), Salernitana dhe ndoshta Benfica (Champions League).

Ditët në vijim do të tregojnë më shumë për rikthimin e tij në fushë, por ka të ngjarë që, për të mos rrezikuar, të përfitojë nga pushimi (luajnë kombëtaret në Ligën e Kombeve) për t’u rikuperuar plotësisht. Nëse do të ndodhë kështu, një datë e besueshme për rikthimin mund të ishte 2 tetori, dita në të cilën Juventusi do të luajë kundër Bologna.