Ngjarja tragjike e ndodhur një ditë më parë në plazhin e Himarës, ku një vajzë e vogël 7-vjeçare gjeti vdekjen për shkak se e përplasi skafi i një oficeri policie ka sjellë reagimin dhe revoltën jo vetëm të publikut të thjeshtë, por edhe të shumë figurave publike.

Arbana Osmani, Amarda Toska, Blendi Fevziu, Einxhel Shkira, Klea Huta, Aurela Gaçe e shumë të tjerë kanë reaguar përmes rrjeteve sociale, duke shprehur indinjatën e tyre e duke shprehur ngushëllimet për familjen e vajzës së vogël.

Së fundmi, një reagim ka ardhur edhe nga aktori i njohur, Donald Veshaj i cili përmes një videoje të publikuar në rrjete sociale duket mjaft i revoltuar për mungesën e masave të marra nga instancat përkatëse.

Donaldi duket mjaft i ashpër me gjuhën që ka përdorur, teksa shprehet se nuk e kupton se pse është e vështirë ngritja e një sistemi që nuk lejon këto mjete ujore të afrohen afër pushuesve. Ai i bën thirrje Ministrisë të marrë masa dhe të ulen e të diskutojnë rreth këtij problemi.

“Kur ndodh diçka ju çfarë bëni në ministri? Çfarë bëni? Rrini mendoheni? Dy mundësi ka: Ose nuk doni, ose nuk keni mendje në kokë” – thotë në fjalët e tij Donaldi.

Aktori i njohur sugjeron edhe krijimin e një sistemi molesh, ndërsa flet hapur për mosfunksionimin e turizmit, që vjen si pasojë e mungesës së rëndësisë ndaj këtij sektori.

“Pse nuk kemi ne pushues e pse nuk na funksionon ne turizmi? Sepse nuk e marrin rëndësinë këto gjëra, e marrin lejet e ndërtimit në jug, tokat”– thotë ndër të tjera ai.