Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, ka pohuar se skuadra e tij do të ishte më pranë kryesuesve të arratisur të Premier League, Manchester City, nëse sezoni 2020-2021 do të kishte qenë normal. Disa lojtarë kryesorë të “Reds” janë dëmtuar me afat të konsiderueshëm. Veçanërisht mbrojtja është prekur shumë, ku Virgil van Dijk, Joe Gomez dhe Joel Matip ka të ngjarë të humbasin pjesën tjetër të sezonit. Skuadra e Klopp fitoi titullin e parë në Premier League sezonin e kaluar, por aktualisht e sheh veten në vendin e gjashtë, 16 pikë prapa “qytetarëve” të Pep Guardiolës.

“Nuk ka qenë kurrë rasti kur kemi menduar se si mund ta kalojmë Manchester City. Ose si mund të bëhemi përsëri ekipi më i mirë në futbollin anglez. Çfarëdo që të thotë kjo? Thjesht donim të ishim versioni më i mirë i vetvetes. Ne e kemi atë shans përsëri. Nëse kjo është mjaft e mirë, është mjaft e mirë. Nëse një ekip tjetër është më i mirë, kështu funksionon sporti. Ne nuk mund të bëjmë më shumë sesa të jemi versioni më i mirë i vetvetes dhe kjo është ajo që do të provojmë përsëri si ekip.

Për këtë na duhet pak më shumë fat, natyrisht. Pak më shumë fat me lëndimet dhe mund t’i afrohemi maksimales. Të gjithë jemi dakord, jam i sigurt se edhe Pep do të thoshte që, në një sezon normal për të dyja skuadrat, nuk do të ishim 16 pikë larg. Por, ne jemi kaq të distancuar. Ky është realiteti, e pranojmë atë. Këtë sezon nuk është shqetësimi ynë sa i afrohemi Manchester City, por sa larg kreut mund ta mbyllim në fund. Kjo është punë e mjaftueshme për t’u bërë”, – tha trajneri gjerman.