Brazili dhe India janë dy vendet më të godita kohët e fundit nga pandemia e Covid-19. Dy shtete që po vuajnë shumë infektimet dhe numrin e lartë të viktimave, duke bërë që sistemi shëndetësor të jetë në kolaps.

Në Brazil, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 2966 viktima dhe mbi 77 mijë të infektuar. Deri më tani, në shtetin amerikano-latin, janë regjistruar mbi 411 mijë viktima dhe gati 15 milionë të infektuar me koronavirus, që nga fillimi i pandemisë.

Po kaq e rëndë është situata edhe në Indi, ku javët e fundit kanë qenë katastrofike. Edhe në 24 orët e fundit numri i viktimave ka qenë i lartë, 3780. Ndërsa numri i personave të infektuar edhte 382 mijë vetë. Pavarësisht kësaj, në Indi nuk është vendosur “lockdown”, nga frika e një goditje që mund të marrë ekonomia vendase.