Tragjedi në Brazil, në Ceara, ku një burrë vdiq nga shembja e një teleferiku në të cilën po udhëtonte. 39-vjeçari ishte duke filmuar veten kur papritur struktura u shemb, duke u rrëzuar përtokë.

Viktima nuk ka ndërruar jetë menjëherë, por rrugës për në spital. Aspekti më tronditës është se e gjitha është filmuar drejtpërdrejt nga ai dhe gruaja e tij, e cila ka regjistruar kalimin nga ana tjetër e teleferikut (ajo e kishte përdorur pak më parë).

Siç thuhet në “Marca”, familja ka denoncuar ngjarjen, duke e akuzuar atraksionin për pakujdesi të rëndë: “Ishte prej druri dhe nuk ishte ngulur mirë, vetëm në sipërfaqe, në rërë”.

Duket se, sipas avokatit të familjes, para se të përdorte teleferikun, viktima ka pyetur personelin e strukturës: “Unë peshoj 160 kilogramë, a mund të më mbajë?”.