Bayern Munich zhvilloi bisedime me agjentin e Cristiano Ronaldos për një transferim të mundshëm gjatë verës, por vendosi të mos e marrë atë nga Manchester United.

Sulmuesi portugez donte të largohej nga “Djajtë e Kuq” gjatë merkatos së verës për t’iu bashkuar një klubi që konkurron në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Bayerni ishte një nga shumë opsionet e shpallura si destinacion i mundshëm për 37-vjeçarin, por asnjë lëvizje nuk u materializua dhe ai përfundoi duke qëndruar në “Old Trafford”.

Drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic, konfirmoi për “Sky Sport” në Gjermani se klubi ka zhvilluar bisedime me agjentin e Ronaldos, Jorge Mendes, duke thënë: “Ai është një personalitet tepër i madh. Një lojtar i madh, që ka lënë gjurmë në botën e futbollit vitet e fundit. Nuk ishte një opsion për ne, sepse po bënim gjëra të tjera. Ai është një futbollist i madh, që ka arritur gjëra të mëdha në vitet e fundit”.

Ronaldo ka luajtur titullar vetëm një ndeshje në këtë start të Premier League me Manchester United deri më tani, këtë sezon, pasi ka luajtur si zëvendësues në katër ndeshje. Ish-ylli i Real Madridit u fut në fushë pas 68 minutash në të dyja fitoret e fundit kundër Southampton dhe Leicester.

Sulmuesi nuk është i kënaqur me rolin e tij si zëvendësues për një ekip që nuk konkurron në Champions League këtë sezon, kështu që ka mbetur i zhgënjyer që dëshira e tij për t’u larguar nuk u plotësua.

Tani që mbeti në “Old Trafford”, Ronaldo do të shpresojë se mund të kthehet në formacionin fillestar të dielën, kur skuadra e tij do të luajë një ndeshje të vështirë kundër Arsenalit, i cili i ka fituar të gjitha (5) ndeshjet deri më tani, këtë sezon.