Veç mali me malin s’takohen, por njerëzit takohen një ditë! Dhe këto dy vargje i shkojnë për shtat historisë së dy vëllezërve, Ted Nobbs dhe Geoff Nobs, të cilët kanë kaluar më shumë se shtatë dekada pa u takuar me njëri-tjetrin.

Ted Nobbs nga Britania e Madhe do të niset drejt Australisë për të takuar të vëllain e tij, Geoff, i cili është më i vogël në moshë se ai. Geoff, tani 79 vjeç, u dha për birësim në moshën 2-vjeçare, në vitin 1945 dhe që prej atij viti, nuk është takuar më me familjen e tij të vërtetë.

Ai ishte fëmija më i vogël i familjes Nobbs, por kur nëna e tij vdiq, i ati vendosi ta jepte për birësim.

Vetë Tedd tregon në një intervistë të dhënë për Agjencinë Britanike të lajmeve SWNS se dëshiron t’i japë një përqafim të vëllait, pas gati 77 vitesh. ‘Shpresoj, kur të shkoj në Australi, do të jem në gjendje të takoj Geoffrey, t’i jap një përqafim që nuk kam mundur ta bëj kurrë’’, ndërsa thotë se ai mban një fotografi kur të katër vëllezërit kanë qenë së bashku.

Ted dhe Geoff kishin planifikuar të takoheshin për ditëlindjen e 80-të të Ted, por gjithçka mbeti pezull për shkak të pandemisë së covid-19.

Mirëpo, kësaj radhe, Ted ka vendosur që të fluturojë drejt Sidneit, për të takuar vëllain e tij, teksa sipas gazetës Metro, kjo do të jetë hera e parë pas 50 vitesh që ai do të fluturojë me avion.

Sakaq, vëllai tjetër, Barry nuk mund të udhëtojë drejt Australisë për arsye shëndetësore, ndërsa vëllai i madh John ka vdekur para 12 vitesh, përpara se të gjithë anëtarët të gjenin njëri-tjetrin.