Armela Murati dhe Ditmar Hoxha janë dy ndër 11 pilotët e rinj që i shtohen forcave ajrore shqiptare. Të ftuar në “ABC”, dy pilotët e rinj treguan se si ndihen pas kësaj arritje.

Fillimisht, foli Armela, e cila tha: “Jam shumë e lumtur dhe shpresoj që të të ardhmen të ketë shumë vajza të tjera. E dija që nuk kishte të tjera dhe thosha se çfarë i ka stepur.

Më vjen mirë që ia arritëm kësaj dite dhe do të jem shumë mbështetëse dhe do të them se nuk është aq e vështirë por mjafton ta duash.”, tha Armela.

Ditmari ka kryer gjimnazin ushtarak në Stamboll dhe më pas Akademinë Ushtarake në Ankara. Pas këtij vendimi, fshihet një histori prekëse.

“Kur kam qenë në gjimnazin ushtarak në Turqi, lindi si ide. Patëm një stërvitje dhe lindi dëshira e madhe. Kur kam qenë në Akademinë Ushtarake konkurrova për t’u bërë pilot. Të vazhdoja kursin në Turqi dhe të vija në Shqipëri si pilot por atëherë mora vesh se Shqipëria do të hapte një kurs të vetin.

Erdha, u caktova në detyrën ku isha atje dhe prita gjatë gjithë kohës që të aplikoja.”, tha Ditmari. Ai tha se donte që të vazhdonte profesionin që babai i tij la përgjysmë, i cili ra dëshmor në vitin 1997. “Ka qenë një ëndërr e lënë përgjysmë nga babai im. E vazhdova më tej se shihja dot veten në një aspekt tjetër.

Ndoshta ushtria është thjesht fillimi i karrierës sime të gjatë. Unë doja që të isha të paktën në hapat e tij.”, tha ai