Trajneri i Francës, Didier Deschamps, përshëndeti lidershipin e Paul Pogba, pas fitores 2-1 në Ligën e Kombeve, ndaj Kroacisë, të mërkurën. Mesfushori erdhi nga pankina në Zagreb, por pasimi i tij i gjatë bëri që Lucas Digne të vendoste në pozita shënimi Kylian Mbappe në minutën e 79-të. Ky ishte goli i fitores përfundimtare në një ndeshje të ekuilibruar dhe të luftuar fort.

Deschamps ishte plot lavdërime për yllin e Manchester United, veçanërisht për pasimin që çoi në golin e Mbappe: “Për Pogba, natyrisht mund të flasim me superlativa, por mund të themi të njëjtën gjë për Antoine Griezmann. Ai është një nga liderët tanë, ka aftësi për të qenë vendimtar, gjithashtu drejtues i grupit. Ai nuk startoi titullar, sepse kjo ishte më e mençur me problemin që kishte. Po, Pogba është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Francës. Edhe pse, ndonjëherë, mund të ketë disa periudha të vështira, e ka forcën për t’u imponuar”.