E pabesueshme por e vërtetë. Khabib Nurmagomedov, ish-kampioni i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse (ka rekordin 29 fitore, 0 humbje) ka firmosur për skuadrën e kategorisë së tretë të kampionatit rus, FC Legion Dynamo Makhachkala.

Mediat ruse konfirmojnë marrëveshjen, duke publikuar foton e Khabib me drejtuesit e ekipit rus, duke shtrënguar dorën. Ndërkohë që, në “wikipedia”, emri i Khabib Nurmagomedov është në listën e 28 lojtarëve të ekipit FC Legion Dynamo Makhachkala.

Më herët këtë vit, Khabib ka deklaruar se dëshiron të luajë futboll. “Po përgatitem për debutimin tim në fushën e blertë si futbollist. Jam lojtar i lirë dhe i hapur për të pranuar oferta”, shkruan Khabib.

Khabib Nurmagomedov, 32 vjeç, u tërhoq nga sporti vjeshtën e kaluar, pas eventit UFC-254. Ai deklaroi se nuk do të duelojë më në kafaz, pas premtimit që i kishte bërë nënës së tij dhe vdekjes së babait dhe trajnerit të tij.