Përballja e madhe e boksit mes britanikut Tyson Fury e ukrainasit Oleksandr Usyk, që do të unifikojë titujt kampionë bote në peshën e rëndë, pritet të zhvillohet në shkurt të vitit të ardhshëm. Sipas mediave amerikane, duket se është e pamundur që përballja të organizohet në dhjetor të këtij viti.

Madje ideja e organizatorëve të kësaj sfide është që ajo të zhvillohet në të njëjtën fundjavë me finalen e madhe të “Super Bowl”, më 12 shkurt, për të maksimizuar të ardhurat. Të dyja palët kanë nisur bisedimet për të gjetur një marrëveshje, që kjo sfidë të kthehet në një spektakël të vërtetë.

Ideja është që dueli të zhvillohet në mesin e pushimit të finales së madhe të Super Bowl, në një stadium të mbushur me 100 mijë spektatorë. Ndërkohë që, të ardhurat nga shitja e të drejtës televizive do të jetë marramendëse, pasi bëhet fjalë për dy evente të jashtëzakonshme brenda një nate.

Pavarësisht se është përfolur që dueli mund të zhvillohet në Arabinë Saudite, orët e fundit ka dalë në skenë edhe Las Vegas. Sipas ESPN Boxing, dhjetori nuk duket si datë e përshtatshme për duelin, ndërsa shkurti duket si më i mundshëm, duke u dhënë boksierëve e stafeve kohë për t’u përgatitur.